Koreja e Veriut paralajmëron kthimin e armëve bërthamore

Koreja e Veriut ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të konsiderojë seriozisht kthimin e një politike shtetërore që synon ndërtimin e armëve bërthamore nëse Uashingtoni nuk i jep fund sanksioneve të ashpra ekonomike kundër regjimit të varfër.

Për vite të tëra, Koreja e Veriut kishte ndjekur një politikë “zhvillimi paralel”, për të zhvilluar në të njëjtën kohë aftësitë e saj bërthamore përgjatë zhvillimit të ekonomisë.

Në muajin prill, duke përmendur një “klimë të re paqeje” në gadishull, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un deklaroi se nuk do të prodhohen më armë bërthamore dhe tha se vendi i tij do të përqëndrohet në zhvillimin e ekonomisë.

Por një deklaratë e lëshuar nga ministria e jashtme e Koresë së Veriut tha se Pheniani mund të kthehej në politikën e saj të mëparshme nëse SHBA nuk ndryshon qëndrimin e saj mbi sanksionet.

“Fjala ‘zhvillim paralel’ mund të shfaqet përsëri dhe ndryshimi i linjës mund të rishqyrtohet seriozisht,” thuhet në deklaratë.

Në një samit historik në Singapor në qershor, Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Kim Jong Un nënshkruan një deklaratë në lidhje me heqjen e armëve nukleare.

Por pak përparim është bërë që atëherë, me Uashingtonin që vijon të mbajë sanksione kundër Koresë së Veriut deri në heqjen përfundimtare të armëve nukleare, plotësisht të verifikuar dhe Pheniani që dënon kërkesat e SHBA.

Muajin e kaluar, mediat shtetërore të Koresë së Veriut akuzuan SHBA-të se po luajnë një “lojë të dyfishtë”.

Në një intervistë për Fox News, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përsëriti se sanksionet do të mbeten derisa Pheniani të mbajë premtimet e bëra në Singapor për heqjen e  armëve bërthamore, duke shtuar se ai do të takohet me homologun e tij të Koresë së Veriut javën e ardhshme.

Lër një koment