Koronavirusi/ 600 të dënuar lënë qelitë, 3 muaj vetëizolim, ja kategoritë që përfitojnë (Video)

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka njoftuar sot aktin normative të miratuar nga qeveria për të karantinuar në shtëpitë e tyre për 3 muaj të gjithë personat që u kanë mbetur për të vuajtur nga dënimi i dhënë deri në 3 vjet burgim.

Po ashtu, edhe ata që u ka mbetur deri në 5 vjet burgim por që duhet të jenë mbi 60 vjeç dhe që vuajnë nga sëmundje kronike të vërtetuar me dokumente shëndetësore përkatëse.

Rreth 600 është numri total i të dënuarve që pritet të lënë qelitë si përfitues nga ky akt normativ, që merr fuqi prej ditës së sotme.

“Të hënën, qeveria mori një masë shumë të rëndësishme. Miratuam aktin normativ për lirimin e përkohshëm të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët. Të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë dhe u ka mbetur edhe 3 vite burgim, dhe të gjithë ata që u ka mbetur më pak se 5 vjet burgim dhe që janë mbi 60 vjeç, do të vendosen 3 muaj në karantinë në shtëpitë e tyre.

Ata përfitojnë vetëm nëse nuk janë dënuar për vepra të rëndë kriminale. Gjithashtu, këta të burgosur duhet të kenë edhe një sjellje të mirë në burg. Të gjithë të dënuarit që përfitojnë nga ky akt, duhet t’i nënshtrohen rregullave strikte për të qëndruar në të njëjtën banesë gjatë qëndrimit në karantinë. Nga ky akt normativ do të lënë përkohësisht burgun 600 të dënuar”, tha ministrja e Drejtësisë.

“Të gjithë ata që vuajnë dënimin në sistemin tonë të burgjeve kanë vëmendjen tonë dhe kemi marrë edhe për ta të gjitha masat. Kemi shtuar shërbimet shëndetësore, duke rritur kujdesin mjekësor”.

“Të gjithë të dënuarit që përfitojnë daljen duhet t’i nënshtrohen rregullave ligjore strikte, duke deklaruar nëpërmjet një deklaratë se familjarët e tyre duan që të qëndrojne në të njëjtën banesë. Parashikohet të lënë burgun rreth 600 të dënuar”, u shpreh Gjonaj.

🔴 MINISTRJA E DREJTËSISË, ETILDA GJONAJ, INFORMON PËR AKTIN NORMATIV PËR ÇUARJEN NË SHTËPI PËR 3 MUAJ TË 600 TË DËNUARVE, NË ZBATIM TË PLANIT TË LUFTËS KUNDËR CORONAVIRUSIT

Geplaatst door Edi Rama op Dinsdag 24 maart 2020