Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar situatën me koronavirusin në Shqipëri duke thënë se vendi po bën më shumë polemika se gjithë vendet bashkë të prekura nga ky virus, dhe pse nuk kemi asnjë të infektuar ende.

Patozi thotë se ka një këshillë për Ramën, ku konstaton se duhet të thoshte që qëndrimi i Bashës për këtë çështje ishte super korrekt, edhe politik, edhe i përgjegjshëm madje shumë larg zyrtarëve të qeverisë së tij që thonë se virusi nuk guxon të afrohet prej masave të forta.

STATUSI I ASTRIT PATOZIT

NJË KËSHILLË PËR “TIMONIERIN”…

Meqë e ke shndërruar prej shumë kohësh në zakon që duhet t’i vësh patjetër notën opozitës dhe shtypit ndaj çdo gjëje, që thonë kundër qeverisë, bëje tamam punën, kur analizon debatin për korona virusin në Shqipëri. Thuaj, fjala vjen, se qëndrimi i Lulzim Bashës për ketë temë ishte super korrekt dhe i paqortueshëm. Ishte edhe politik, edhe i përgjegjshëm, edhe qytetar, sepse profesional nuk ka pse të jetë.

Dhe mbi të gjitha shumë larg atyre të nahisë tënde, që thonë se virusi nuk guxon të na afrohet nga masat e forta, që ka marrë qeveria jote, e as atyre të tjerëve, që kanë dalë ta presin me nderime dhe me buqeta me lule në të gjitha pikat kufitare, por ai nuk po ua dëgjon lutjet.
Duhej ky reagimi yt për ta bërë më të plotë tabllonë e një vendi qesharak, që po prodhon më shumë polemika për korona virusin, se sa të gjitha vendet e prekura të marra së bashku, ndonëse për fat të mirë nuk kemi ende asnjë të infektuar.