fbpx

Koronavirusi i mori jetën artistit të njohur, kryeministri Rama fjalë prekëse

Për Kryeministrin e vendit, Edi Rama, ikja nga jeta e skulptorit Arben Bajo është një humbje e madhe për vendin dhe një trishtim i madh për të.  Rama ka publikuar një postim prekës në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të mikut të tij, të cilin e vlerëson shumë edhe si njeri por edhe si artist.

“Çfarë trishtimi!  Ben  Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij! Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërc.ènimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetra miliona njerëz.

Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shem.bëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.

Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar.

Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lenë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre. Artistët hyjnë tek këta disa dhe kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën që veprat mbeten.

Ngushëllimet më të ndjera të dashurve e të afërmve të Benit, fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj”, shkruan Rama.