Mutacioni u zbulua fillimisht në juglindje të Anglisë e më pas raste u konfirmuan edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi, siç bëri të ditur zyrtarja e lartë e OBSH, Maria Van Kerkhove.
“Nuk ka të dhëna që të sugjerojnë ndryshim të sjelljes së virusit, por megjithatë studime të mëtejshme po kryhen”, u shpreh Van Kerkhove.
Ekspertët besojnë se mutacioni ka ndodhur tek ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar që nuk ka arritur të mposhtë virusin.
Mutacionet ndodhin gjatë gjithë kohës, por ky që po alarmon autoritetet po përhapet shumë shpejt dhe rrezikon të bëhet forma mbizotëruese e virusit. Edhe pse nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se është më vdekjeprurës, duke qenë më infektues ai mund të çojë në më shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor.