Koronavirusi/ Shkon në 132 numri i të prekurve në Itali

132 persona rezultojnë aktualisht të infektuar me koronavirus në Italinë fqinje, ku vetëm në Lombardi regjistrohen 89 raste.

Nisur nga çfarë raportojnë mediat italiane, një shtetrrethim i vërtetë duket se po ndodh në veriun e vendit, ku mbi 50 mijë persona gjenden në karantinë si dhe 11 komuna tashmë janë izoluar totalisht.

Pika kontrolli janë ngritur përreth vendeve të prekura nga virusi për të mos lejuar banorët të largohen; korridore “sterile” për të lejuar hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke i garantuar kështu qytetarëve furnizimin e mallrave thelbësorë; kush nuk i bindet urdhrit për të mos lëvizur nga të ashtuquajturat “vatra infektimi”, rrezikon arrestimin deri në tre muaj: këto janë disa prej masave ekstreme që Italia po merr në përpjekjet për frenimin e përhapjes së koronavirusit, rastet e prekura prej të cilit po shfaqen me një shpejtësi marramendëse.