Koronavirusi/ Zyrtari i Kombeve të Bashkuara: Paraqet situatë të rrezikshme

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se shpërthimi i koronavirusit në Kinë “nuk është jashtë kontrollit, por që paraqet një situatë shumë të rrezikshme”.

Duke folur në një intervistë për Associated Press, Guterres tha se “rreziqet janë të mëdha” dhe se bota “duhet të përgatitet për këtë”.

Guterres shtoi se përhapja e koronavirusit në vendet me “kapacitete më të vogla të shërbimeve mjekësore” do të kërkojë solidaritet më të madh ndërkombëtar.

Kina, të martën, raportoi edhe për 98 të vdekur dhe për 1,886 raste të reja të prekura me koronavirus. Shifrat e çojnë në rreth 1,900 numrin e përgjithshëm të të vdekurve në Kinë dhe në 72,436 numrin e të infektuarve.

Jashtë Kinës, ndërkaq, janë regjistruar më shumë se 500 raste në gati 30 vende. Katër vetë po ashtu kanë vdekur jashtë Kinës: në Francë, Hong Kong, Filipine dhe Japoni.

Egjipti raportoi për rastin e tij të parë me koronavirus, duke rritur shqetësimet për përhapjen e tij në kontinentin afrikan. Koronavirusi tashmë ka infektuar mbi 73,000 njerëz në gjithë botën.