Kosova me fat, Çekia pa sulmuesin kryesor ndaj dardanëve!

Kosova është me fat. Në ndeshjen më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve atë ndaj Republikës Çeke që do të luhet në Plzen në 14 nëntor, aty ku dardanëve u interesojnë vetëm 3 pikët, kundërshtari nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin e saj kryesor. Patrik Schick autori i 4 golave për Çekinë në këtë fushatë kualifikuese ka pësuar një dëmtim sëfundmi me skuadrën e tij Leipzig dhe nuk është grumbulluar për dy sfidat e radhës që kombëtarja çeke do të ketë ndaj Kosovës në shtëpi dhe Bullgarisë në transfertë.

Një rrezik më pak për Rrahmanin e Alitin me shokë pasi në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë ishte pikërisht Schick ai që kaloi në epërsi Republikën Çeke por më pas Muriqi dhe Vojvoda përmbysën shifrat në favor të dardanëve. Në listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Jaroslav Silhavy nuk mungojnë gjithsesi emrat e rëndësishëm si i rikthyeri nga dëmtimi Kalas, Darida, Jantko, Krejci e Soucek.