Kosova nis përgatitjet për supersfidën me Anglinë

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar të dielën një stërvitje të lehtë dhe të fundit në Prishtinë para se të udhëtojë drejt Anglisë për përballjen të martën në stadiumin e Sauthampton me “Tre Luanët”. Ekipi i Bernard Challandes këtë herë ka dal i përgjysmuar në stërvitje.

Trajneri 68-vjeçar ka lënë të lirë futbollistët që ishin titullarë të shtunën në “Fadil Vokrri”, ku Kosova e mposhti 2-1 Çekinë. I vetmi lojtar që luajti titullar ndaj Çekisë e që u paraqit sot në stërvitje ishte anësori sulmues, Elbasan Rashani, asistuesi te goli i barazimit i shënuar nga Vedat Muriqi.

Bashkë me Rashanin, u stërvitën edhe Valon Berishën e Florent Muslija – që të dy u inkuadruan në pjesën e dytë. Ata një pjesë të madhe të stërvitjes e kanë mbajtur të diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës që nuk gjetën minuta kundër Çekisë.

Kjo është stërvitja e fundit e Kosovës në Prishtinë, pasi të hënën “Dardanët” do të udhëtojnë drejt Anglisë dhe pasdite do të kryejë stërvitjen e fundit para përballjes të martën me “Tre Luanët”.