fbpx

Kosovë: A do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme?

Numri i madh i infektimeve me Covid-19 në javët e fundit në Kosovë ka shënuar rritje të madhe. Qeveria po shqyrton mundësinë për gjendje të jashtëzakonshme. Reagojnë ekspertët dhe biznesi.

Rritja e madhe dhe në mënyrë të shpejtë e numrit të personave të infektuar me Covid-19 në Kosovë, ka bërë që autoritetet të shqyrtojnë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë ka pasur tre persona të vdekur dhe 195 infektime të reja. “Numri total i rasteve pozitive është rreth 4.700 raste nga rreth 27.500 persona të dyshuar si të prekur nga virusi SARS-CoV-2, me gjithsej rreth 100 raste vdekjeje, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Bazuar në këto shifra gjithnjë në rritje të personave të infektuar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilloi një takim me Këshillin e Kryetarëve të komunave të Kosovës, ku u diskutua për masat e reja kundër pandemisë dhe mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri njoftoi, se të gjithë kryetarët e komunave kanë qenë dakord për rritje të masave dhe deri edhe për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, shkroi Hoti pas takimit.

Njoftimi për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nxiti reagime të ekspërtëve të shëndetësisë dhe atyre të ekonomisë për pasojat e mundshme që mund të ketë. Infektologu i njohur kosovar, Lul Raka, thotë se “çfarëdo vendimi që merret duhet të analizohet hollësisht nga të gjitha këndvështrimet dhe institucionet relevante, duke dhënë të gjithë opusin e mundshëm të impaktit të intervenimeve të ndërmarra”.

“Reagimi nuk duhet të jetë reaktiv dhe vendimit politik duhet t’i paraprijë qasja shkencore. Dy faktorët kryesorë të rritjes së shifrave janë: mosrespektimi masiv nga qytetarët dhe mungesa e mbikqyrjes dhe kontrollit nga shteti. Këtu është problemi kyç dhe këtu duhet të jetë fokusi i përgjigjes pa lënë anash rekomandimet e fundit të ECDC. Kultura dhe mentaliteti janë pjesë të rëndësishme që duhet të merren në konsideratë në intervenim. Fatura e izolimit total është shumë më e lartë dhe është opsioni i fundit nga të gjithë skenarët e mundshëm”, shkroi  infektologu Lul Raka.  Sipas tij, zgjidhja e mundshme për parandalimin e përhapjes  së virusit është kjo:

“Zgjidhje mund të jetë qasja “TË GJITHË ME MASKA”. Maskat duhet të jenë OBLIGATIVE! Të blihen maska shumëpërdorimëshe nga shteti dhe të shpërndahen në popull! Kjo qasje mund ta ulë lakoren. Mund të zbatohet për një kohë më të gjatë. Njëkohësisht parandalon edhe sëmundjen edhe ruan ekonominë dhe shëndetin mendor”, shkroi Lul Raka.

Ndërkohë njohësit e ekonomisë, thonë se mbyllja edhe njëherë e bizneseve, do të jetë fatale për ekonominë  e brishtë të Kosovës. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonimike të Kosovës, shkroi:

1) “Për gjendjen e jashtëzakonshme: Mbyllja e bizneseve na dërgon në kataklizëm ekonomik. Çdo gjendje e jashtëzakonshme, që përfshin mbyllje të bizneseve, do të jetë fatale për ekonominë.

2) Nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet për të mundësuar masa më të rrepta në luftën me pandeminë, atëherë këto masa të mos ndërmerren në kurriz të ekonomisë në terësinë e vet. Masat duhet të ndërmerren ndaj atyre bizneseve që nuk respektojnë rregullat dhe masat parandaluese. Dhe 3) Çdo dekret/ligj për  gjendjen e jashtëzakonshme, duhet të përfshijë, zbatimin obligativ të dispozitave të forcës madhore në marredheniet kontraktuale në raportet e biznesit me bizneset tjera, të biznesit me bankat, të biznesit me organet shtetërore. Pra duhet të vendoset moratorium në çdo obligim që bizneset kanë ndaj paleve të treta”, shkruan Berat Rukiqi.

Sidoqoftë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, vazhdimisht bën apel për respektim të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, por këto masa nuk po respektohen nga qytetarët dhe për pasojë ka rritje të madhe të infektimeve.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në apelin e IKSHP-së.

Dekretim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, mund të bëjë vetëm presidenti, ndërsa hyrjen në fuqi të atij dekreti e bën vetëm parlamenti i Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve. Sipas kushtetutës “Gjendja e jashtëzakonshme nuk mund të shpallet për më shumë se 60 ditë. Me pëlqimin e shumicës së deputetëve, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej 30 ditësh. Gjithsej nuk mund të shpallet për më shumë se 90 ditë”. /DW/