Kosovë, jep dorëheqjen shefi i Agjencisë së Zbulimit

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, ka njoftuar se Drejtori i Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, Shpend Maxhuni, ka dhënë dorëheqje. Lajmi u bë i ditur në llogarinë zyrtare të Haradinaj në Facebook, por ai nuk ka dhënë hollësi për arsyet e kësaj dorëheqjeje.

“Kam pranuar dorëheqjen e Drejtorit të AKI-së, z. Shpend Maxhuni, nga funksioni i tij në krye të Inteligjencës kosovare. Z. Maxhunin e falënderova për bashkëpunimin profesional të deritashëm në mbrojtjen e sigurisë së vendit dhe popullit tonë. Për kontributin e tij në obligimet shtetërore dhe Institucionale e dekorova z. Maxhunin me Medaljen e Skënderbeut, me motivacionin për profesionalizëm dhe besnikëri në shërbim ndaj atdheut. Gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës është angazhuar pa ndalë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe institucionet e sigurisë. Në këtë angazhim, roli i z. Maxhunit ka qenë i rëndësisë së veçantë dhe sot, AKI është një ndër institucionet më profesionale dhe më kredibile në vend dhe më gjerë”, shkroi në rrjetin Facebook Haradinaj.

Shpend Maxhuni, që më parë ishte drejtor i përgjithshëm i policisë së Kosovës, u emërua në krye të agjencisë së zbulimit në muajin prill të vitit 2018./real-news.tv/