fbpx

Kosovë/Nëna e infektuar me COVID lind foshnjen, i bëhet testi të porsalindurit

Në Klinikën Gjinekologjike në Kosovë ka lindur një grua e cila ishte konfirmuar e infektuar me koronavirus.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije se pacientja nga Prizreni ka lindur mbrëmë, derisa gjatë ditës pritet rezultati për foshnjën.

Vetëm mbrëmë në këtë klinikë kanë lindur 39 foshnje, ndërkohë që gjatë së premtes kanë qenë të shtrira 220 paciente. Drejtori i kësaj klinike u bëri thirrje spitaleve rajonale që të mos ngarkojnë këtë klinikë, sepse sipas tij, ditëve të fundit është stërngarkuar.

Jakup Ismajli thotë se ditëve të fundit është shtuar numri i pacientëve të cilët po kërkojnë trajtim në Klinikën Gjinekologjike.

Ai tregon për gjendjen e pacientes, e cila është konfirmuar me Covid-19.

“Për momentin e kemi një paciente e cila dje e ka përfunduar lindjen është ende Covid pozitiv, ka lindur një fëmijë të shëndoshë. Sot i është marrë testi bebes që të vërtetohet nëse është edhe bebja e infektuar…Pacientja është nga komuna e Prizrenit është në gjendje të qëndrueshme”, thotë Ismajli.

Në rast se foshnja rezulton negativ, Ismajli shton se sot do të lirohet edhe pacientja nga Prizreni, e cila duhet të vetëizolohet për dy javë. Veç tjerash, ai thekson se sot është testuar edhe një paciente tjetër, ndërkohë që javën e kaluar janë trajtuar tri paciente me koronavirus.