KQZ vendos përfundimisht për BD, Zguri bën pyetjen e sikletshme: Nëse do kishit…

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin e votimeve në qarkun e Vlorës, në një mbledhje e cila është zhvilluar qetësisht pa debate. Me katër vota “pro” dhe një “kundër”, atë të kryetarit Klement Zguri u miratuan rezultatet e 30 qershorit në Vlorë për kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin Bashkiak.

Ndërkohë, u hodh shorti edhe për shqyrtimin e kërkesës ankimore të partisë “Bindja Demokratike” me numër 45, ku relator u përzgjodh anëtari Bledar Skenderi.

Lidhur me këto ankimime, ku 41 të parat, KQZ vendosi t’i kthejë mbrapsht, ka pasur një koment nga ana e Zgurit, i cili i drejtoi një pyetje përfaqësuesit ligjor të partisë së Patozit.

“Një pyetje kam, shumë seriozisht…nëse do kishit fituar do i ankimonit zgjedhjet”, tha Zguri, pyetje e cila nuk mori një përgjigje konkrete nga ana e BD.

Mbledhja e radhës e KQZ ku do të vendoset për kërkesën e BD do të zhvillohet nesër në orën 10:00. Deri më tani, 6 bashki kanë marrë “OK” nga KQZ, përveç Vlorës ka dhënë miratimin për kryetarin e Bashkisë dhe Këshillat Bashkiak në Kamëz, Korçë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Lezhë.