“Krimineli është veshur me petkun e viktimës, kini kujdes fëmijët”. Thirrja drithëruese e babait të Klodianit, vrasësi dënohet me 10 vite burg

a.jpg

Pak pas vendimit të Gjykatës së Tiranës ku caktoi 10 vite burg për ish-efektivin e Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj për vrasjen e Klodian Rashës, ka ardhur dhe reagimi i babait të 25-vjeçarit. Në një dalje për mediat, Qazim Rasha ka deklaruar se kjo është një njollë e zezë që nuk do i hiqet shtetit ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë fëmijët e tyre.

“Ju kisha thënë që do vijë momenti që do t’i themi ca gjëra. Sot është momenti. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216-të, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet duke thirrur ‘Unë jam Klodiani’. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë.

Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli është veshur me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im është një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.

Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj.

Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar?! Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet”, deklaroi babai i Klodian Rashës.

I pyetur nëse do ta apelojë vendimin e Shkallës së Parë, ai tha se nuk ka besim.

“Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”, deklaroi Qazim Rasha.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303