Kristalizohet lëvizja ‘Basha ik’, Kulluri shpërthen në kritika

Lëvizja kundër Lulzim Basha brenda në Partinë Demokratike duket se po kristalizohet. Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së është një nga zërat më kritikë ndaj kryetarit të PD-së. Ai i kërkon Lulzim Bashës që të bëhet burrë dhe të largohet nga drejtimi i partisë, që thotë se e ka dërguar nga humbja në humbje. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar demokrat shprehet se PD-ja zyrtare nuk bind se është më e mirë se banda e Ramës në pushtet. Për Kullurin ka vetëm një fajtor të vetëm dhe ai është kryedemokrati, që sipas tij po e mban partinë peng prandaj duhet të lartohet.

“PD zyrtare ka 6 vjet qe vetëm kundërshton, kritikon, denoncon dhe replikon me qeverine! PD zyrtare nuk bind se është me e mire se banda e Ramës në pushtet, nuk krijon alternative dhe ekip te besueshëm. PD zyrtare nuk dëgjon brenda partisë se si mund te jete me demokratike, me transparente, me krijuese, me alternative, me e djathte, me e drejte dhe me reflektuese. PD zyrtare është shndërruar ne opozite e “forcës se zakonit”! Pasqyre e keqe e vetes dhe kundërshtarit por jo oferte me e mire qeverisëse! Mjafton rrumpalla ne politiken e jashtme me rastin e Memorialit te Grushtit te Shtetit ne Turqi për te kuptuar se ç’shëmti është ky leadership!

Demokratët u lodhën, u robtuan neper protesta, bojkote dhe marrëzitë e nje njeriu dhe rrethit te tij besnik duke bere vetëm “hapa pas” dhe “asnjë hap para”! Partine po e mban peng nje njeri i paafte dhe pa asnjë lloj përgjegjësie për dështimet e njëpasnjëshme! Po i tërheq deshperishmisht nga “gënjeshtra ne gënjeshtër”! 10 revolucione imagjinare ka drejtuar deri tani dhe Rama ndërkohë ka arritur çdo fitore prej humbjeve te PD! Nese ke halle te tuat këto nuk janë hallet e PD dhe shqiptareve! Behu burrë dhe ik, por ti nuk je i tille, se burrat nuk fshihen dhe nuk gënjejnë! Burrat mendojnë, burrat bashkojnë, burrat luftojnë, burrat prijnë, burrat fitojnë! Dhe kur nuk i arrijnë këto, ikin “si burrat”shkruan ai.

Pjesë e kësaj lëvizjeje përpos Kullurit pritet që të jenë pikërisht zërat kritikë të Bashës duke nisur që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Ibsen Elezi, Arben Ristani por edhe shumë të tjerë.