fbpx

Kriza e emigrantëve/ Shefat e BE-së do të vizitojnë kufirin grek

emigrant-ne-greqi.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se do të vizitojë kufirin e Greqisë me Turqinë, në shenjë mbështetjeje për Athinën, e cila përballet me një krizë në rritje të emigrantëve.

Von der Leyen, e shoqëruar edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, do të takojnë të martën në kufi kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Autoritetet greke thanë se kanë penguar rreth 10,000 përpjekje për kalim të paligjshëm të kufirit prejse presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë publik vendimin e tij “për të hapur dyert drejt Evropës” për emigrantët që ikin nga konfliktet në Lindjen e Mesme.

Deklarata e Erdoganit më 29 shkurt është parë si përpjekje për t’i bërë presion Bashkimit Evropian, që ta mbështesë një ofensivë të forcave të tij në Siri.

“Unë e di që Turqia është në një situatë të vështirë sa u përket refugjatëve dhe emigrantëve, por ajo që ne shohim tani, nuk mund të jetë përgjigjja dhe zgjidhja”, tha von der Leyen në një konferencë për gazetarë në Bruksel.

“Sfida me të cilën Greqia po përballet tani, është një sfidë evropiane”, shtoi ajo.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303