Kriza politike, Basha me aleatët i shkojnë Metës sot në Presidencë

1574145422_basha.jpg

Sot në orën 09:00 kryetari i PD-së Lulzim Basha së bashku me partitë e tjera aleate në opozita jashtë parlamentit do të zhvillojë një takim me kreun e shtetit Ilir Meta në Presidencë për krizën politike. Ftesa u bë nga Ilir Meta, ndërkohë që Basha dhe aleatët e pranuan menjëherë duke u treguar gati për t’u paraqitur në Presidencë një ditë para afatit që ishte vendosur.

Para takimit të sotëm, mbrëmjen e djeshme Basha mësohet se ka zhvilluar një takim me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë përpara Presidentit për zgjidhjen e krizës. Pas opozitës Meta ka planifikuar edhe disa takime mes të tjerash me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish- ambasadorësh, president i të cilit është Besnik Mustafaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”.

Ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta është përplasur me mazhorancën për sa i përket plotësimit me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas emërimit pasditen e së mërkurës që lamë pas të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në ‘ngërç’ për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur.

scroll to top