Kryemadhi: 2018-ta do mbahet mend si viti i protestave

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit bëri ‘bilancet e dështimeve’ të qeverisë ‘Rama’.

Nga selia e LSI-së Kryemadhi tha se viti 2018 do të mbahet mend si viti ku dështuan negociatat për në BE, si dhe për protestat. Ajo theksoi se 2018-ta nisi me protestën e opozitës, dhe përfundoi me protestën e diasporës.

“Së bashku humbëm një vit drejt hapjes së negociatave për shkak të arrogancës. Humbëm një vit për shkak të korrupsionit dhe kapjes së qeverisë. Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave që nisi me protestën e opozitës dhe vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve, me protestën e minatorëve, të biznesit të vogël. Protesta e studenteve solli shpresën e shqiptarëve. Dhe ky vit përmbyllet me protestën e diasporës, për t’i kthyer dinjitetin popullit të tyre. 2018 do të mbahet mend si viti i varfërisë që u shtrëngon rripin të varfërve dhe u liron të pasurve”, tha Kryemadhi.

Mes të tjerash Kryemadhi tha se ky ishte viti i skandaleve por edhe si viti i varfërisë. “Sipas INSTAT 90% e shqiptarëve konsumojnë me pak. U rriti kostot e jetesës qytetarëve të thjesht. U rriti çmimin e ujit. Natën e fundit të parlamentit ai (Rama) vendos dhe kthen në mënyrë të paprecedent ligjin për dividentin, ku duket haptazi që nuk është vetëm dy standard i përdorur ndaj biznesit të ndershëm, por është dhe vepër penale e mashtrimit dhe falsifikimi të Parlamentit shqiptar ndaj ju uroj shqiptarëve një vit sa më të mbarë. T’i japim Shqipërisë një alternative tjetër. Uroj që shqiptarët në vitin 2019 të kenë një qeveri pa Edi Ramën. Një qeveri që të dojë popullin e saj, me dinjiteti, me integritet dhe mbi të gjitha të shkëputet nga krimi dhe banda e organizuar. Gëzuar shqiptar kudo që jeni, t’i kthejmë fytyrën shtetit. Një Shqipëri pa Edi Ramën, do të jetë një Shqipëri e çliruar nga krimi, ashtu si shqiponja që fluturon në qiellin shqiptar”, -pohoi Kryemadhi.

Lër një koment