Kryemadhi paralajmëron zgjedhje menjëherë pas miratimit të Reformës Zgjedhore

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me tryezën e përbashkët politike për reformën zgjedhore.

Monika Kryemadhi ka thënë se  “Aksioni opozitar nuk dështoi por Parlamenti erdhi tek opozita reale e vendit”.

‘Nuk u kthyem ne. Ne jemi aty ku ishim. Erdhi Parlamenti te tryeza jonë. E para njëherë momenti ose firmosja e dakordësisë ka të bëjë me atë që është shumë e rëndësishme, procesin dhe mbylljen përfundimtare të reformës zgjedhore. Çfarë do të thotë reforma zgjedhore? Një nga pikat kryesore, e Bundestagut, por jo vetëm, edhe e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është miratimi i reformës zgjedhore dhe implementimi i saj. Për sa i përket angazhimit të opozitës në 9 pikat e Bundestagut, në 9 angazhimet për procesin e hapjes së negociatave, opozita ka detyrimin e saj vetëm për të dhënë konsensusin ose për të kontribuar në miratimin përfundimtar të reformës zgjedhore’. Qytetarët marrin atë që perceptojnë nga televizionet. Sot isha në Përrenjas, kam takuar shumë njerëz. Kam takuar edhe në Tiranë grupe të shumta interesi. Të gjithë shikojnë që ka një shpresë. Pse? Sepse e dinë shumë mirë që pas reformës zgjedhore, vijnë zgjedhjet e reja. T’iu bëj një pyetje. Nëse nuk do miratohej reforma zgjedhore, kujt i interesonte stanjacioni? Se mua nuk më intereson stanjacioni, më interesojnë zgjedhjet e reja. Biznesit i interesojnë zgjedhjet e reja. Kujt i intereson ky stanjacion? Vetëm Edi Ramës. Çfarë do bëjë Edi Rama që të mos bëhen zgjedhjet? Do shtyjë reformën. Po nëse miratohet reforma përfundimisht ku do shkosh? Do shkosh në zgjedhje. Edi Rama po të ishte i mençur do të kishte bërë zgjedhje për 45 ditë, menjëherë sa dogjëm ne mandatet. Por mesa duket këshilltarët i ka pasur të gabuar”, tha Kryemadhi, e ftuar në Euroneës Albania.