Kryemadhi reagon për donacionet 1.15 mld euro: Të administrohen me transparencë!

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, shpreh mirënjohje për të gjithë vendet e botës, që u solidarizuan me Shqipërinë dhe dhuruan plot 1.15 miliardë euro për rindërtimin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntori 2019.

Kryemadhi shkruan në “Facebook” se miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira. Sipas saj, tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë familjeve të pastreha.

“Miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira. Mirënjohje për kontributin e tyre për të ndihmuar qytetarët shqiptarë dhe infrastrukturën e dëmtuar pas tërmeteve, që goditën vendin.

Tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë, në radhë të parë familjeve që janë të pastreha. Miqve nga të gjitha anët e globit FALEMINDERIT që na u gjendët pranë.

Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë. Solidariteti i treguar nga vendet mike dhe institucionet ndërkombëtare kërkon seriozitet dhe angazhim të gjithanshëm! Zoti ju bekoftë të gjithëve, ju dhe qytetarët tuaj! Ju faleminderit!”, shkruan Kryemadhi.