Kryeministri Rama betohet si ministër i Jashtëm

Kryeministri Edi Rama është betuar në Presidencë si ministër i Jashtëm. Rama i është përmbajtur protokollit, ndërsa betimi është kryer brenda pak minutave.

Kryeministri u betua në postin e ministrit të Jashtëm, një ditë pasi Kuvendi miratoi dekretin e presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit.

Rama vendosi të marrë vetë edhe postin e ministrit të Jashtëm pas refuzimit që i bëri Presidenti Ilir Meta kandidaturës së Gent Cakës me pretendimin se nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Kjo prodhoi edhe përplasje mes kryeministrit dhe presidentit Meta, e cila shpjegon edhe përshpejtimin e procedurës për betimin e Ramës në Presidencë pasditen e sotme.

Njoftimi i Presidencës: Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e betimit të Ministrit të ri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. /real-news.tv/