May mbron marrëveshjen Brexit para deputetëve

download-14.jpg

Kryeministrja britanike Teresa May ka patur një takim me anëtarët e parlamentit, para të cilëve ka mbrojtur marrëveshjen e arritur me Bashkimin Europian.

Në ditët më të vështira të karrierës së saj politike dhe me fatin e qeverisë së saj në rrezik, May duhet të bindë ministrat që të mbështesin planin e saj, para se të hidhet në votim.

“Jam e bindur se kjo marrëveshje  na çon në mënyrë të konsiderueshme më pranë asaj për të cilën votuan britanikët në referendum,” i tha May parlamentit. 52% e britanikëve votuan  në favor të largimit nga BE, kundrejt 48% që ishin kundër.

Marrëveshja “mbron vendet e punës, mbron integritetin e Mbretërisë së Bashkuar tonë dhe mbron sigurinë e njerëzve në këtë vend”, -shtoi May.

Plani i kryeministres është një përpjekje për të krijuar një ekuilibër mes atyre që duan që Britania të mbajë lidhje të ngushta me bllokun më të madh tregtar në botë ndërkohë që do të ketë kontroll të plotë mbi çështjet si emigracioni dhe mbikëqyrja gjyqësore.

“Ne do të marrim përsëri kontrollin e kufijve tanë, ligjet tona dhe paratë tona, të lëmë Politikën e Përbashkët të Peshkimit dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, duke mbrojtur punët, sigurinë dhe integritetin e Mbretërisë së Bashkuar”, tha May.

May është përballur me kritika të vazhdueshme nga deputetët konservues rreth qasjes së saj.

Sipas raporteve të medias, marrëveshja përfundimtare përfshin një marrëveshje të ashtuquajtur “backstop” në të cilën e gjithë Mbretëria e Bashkuar do të mbetet në një marrëveshje doganore me BE.

E ardhmja e kufirit irlandez ka qenë çështja e fundit e madhe që duhej zgjidhur në negociata.

Irlanda e Veriut gjithashtu do të qëndrojë efektivisht në tregun e përbashkët europian, domethënë, disa kontrolle mund të kërkohen midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të vendit, thanë raportimet.

 

scroll to top