Kryeministrja e Zelandës së Re: Të luftojmë ideologjinë e racizmit

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka bërë thirrje për luftë globale kundër ideologjisë raciste të ekstremit të djathtë, pas sulmit të përgjakshëm terrorist që ka ndodhur në dy xhami në Christchurch.

Ajo ka thënë për BBC-në se kundërshton idenë që rritja e emigrimit është duke nxitur racizmin.

Ajo ka mbrojtur vendimet e Zelandës së Re për të pranuar refugjatë duke thënë se “ne jemi një vend mikpritës”.

Kur është pyetur për rritjen e krahut të së djathtës ekstreme, ajo ka thënë:

“Ai ka qenë një qytetar australian, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi një ideologji në Zelandën e Re që do të përbënte fyerje për shumicën e banorëve në këtë vend”.

Prandaj, ka thënë ajo, ekziston një përgjegjësi “për të çrrënjosur këtë ide kudo ku ekziston dhe të sigurohemi që të mos krijojmë kurrë një ambient të tillë”.

50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me armë zjarri të premten.

Të mërkurën është kryer ceremonia e parë e varrimit të viktimave, përkatësisht e një babai dhe djalit të tij.

Australiani, Brenton Tarrant, 28 vjeçar është akuzuar për vrasje, në një proces gjyqësor që është mbajtur një ditë pas sulmit në Christchurch./real-news.tv/