Kryeprokurori kalon Vetingun, Komisioni i Pavarur konstaton shkelje, Huda: Duhet të isha më i kujdesshëm…

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Kurbinit Zeqir Hoda, pavarësisht disa problemeve që iu konstatuan në seancën dëgjimore, e cila u zhvillua katër ditë më parë.

Trupa gjykuese përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Zeqir Hoda e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokuror në Krujë dhe e ka drejtuar këtë prokurori deri në vitin 2009. Ai ka ushtruar funksionin e tij më pas në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2014 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Kurbinit.

Ai iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret, por u përball me dyshime për mungesë burimesh të ligjshme të pasurisë si dhe konflikt interesi.

Çfarë ndodhi në seancën dëgjimore:

Relatorja Etleda Çiftja deklaroi në fillim të seancës se prokurori Zeqir Hoda kishte marrë një raport pozitiv nga ILDKPKI, por verifikimi i KPK-së duket se ka arritur në përfundime të ndryshme.

Për një apartament me sipërfaqe 92 m2 në Tiranë, të blerë në vlerën e 3.9 milionë lekëve në vitin 2001, prokurori Hoda ka deklaruar si burim të ardhurat familjare dhe ato nga shitja e një apartamenti në Kukës, 300 mijë lekë dhuratë nga babai dhe dy hua përkatësisht në vlerat 3000 dhe 4000 dollarë. Gjithashtu, ka deklaruar edhe një kredi në shumën 7000 dollarë që ka shërbyer për shlyerjn e huave.

Sipas relatores Etleda Çiftja, komisioni ka konkluduar se babai i ndjerë i prokurorit Hoda nuk ka pasur mundësi për dhurimin e shumës 300 mijë lekë, pasi nuk rezulton e provuar me dokumentacion justifikues. Komisioni ka konstatuar të njëjtën gjë edhe për huadhënësit, ku nga hetimi është konkluduar se ata nuk kanë pasur mundësi për të dhënë shumat 3000 dhe 4000 dollarë. Sipas Çiftes, ata nuk kanë pasur mundësi me burime financiare të ligjshme për të dhënë huatë e sipërcituara.

Komisioni ka gjetur probleme edhe në lidhje me një apartament tjetër me sipërfaqe 108.02 m2 po në Tiranë, të porositur në vitin 2015 në vlerën e 75 mijë eurove dhe të shlyer në vitin 2017, për të cilin prokurori Hoda ka deklaruar si burim krijimi kursimet nga pagat për periudhën 2004-2014 në shumën 20 mijë euro, një kredi në vlerën 50 mijë euro dhe 5 mijë euro kur të kalohej në pronësi.

Relatorja Çiftja tha se nga hetimi për këtë pronë u konstatua se ka mungesë të dokumentacionit justifikues për pagimin e këstit të parë 20 mijë euro. Komisioni ka identifikuar mungesë të dokumentacionit për nisjen e shlyerjes së kredisë dhe mospërputhje në deklarimet për pagesën e këstit prej 20 mijë eurosh në bankë.

Një tjetër problem i identifikuar nga Komisioni ishte fakti që prokurori Hoda zotëronte aksione në kompaninë Albtelekom, blerë në vitin 2008 në vlerën e 50 mijë lekëve. Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij që ka punuar në këtë shoqëri ka rezultuar aksionere po në shumën 50 mijë lekë.

Relatorja Çiftja pohoi se referuar ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, Komisioni konstatoi se pokurori Hoda është në  shkelje të ligjit, pasi për shkak të detyrës që ai mban nuk mund të lidhë kontrata me institucionet publike.

Komisioni ka evidentuar si problematikë edhe gjendjen cash jashtë sistemit bankar. Sipas relatores Çiftja, ka rezultuar se ai ka mungesë dokumentacioni justifikues për shumat cash në gjashtë vite të deklarimit. Dyshime u ngritën edhe për një depozitë bankare të hapur në vitin 2005, ku janë depozituar vlerat 5 mijë euro dhe 5 mijë dollarë, që janë tërhequr pas pesë ditësh. Sipas relatores Çiftja, nga analiza financiare e vitit 2005, ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar këto shuma të depozituara.

Komisioni ka konstatuar mungesë të ardhurash edhe për një shumë 10 mijë eurosh në vitin 2006, që ka rezultuar të mos jetë deklaruar në kohën e duhur. Nga hetimi administrativ Komisioni ka gjetur se subjekti nuk ka deklaruar disa llogari rrjedhëse dhe se vlera që ka mbajtur jashtë bankave është me e lartë se 1.5 milionë lekë nga sa e lejonte ligji.

Tjetër problematikë që evidentoi relatorja Çiftja ishte edhe përdorimi i dy automjeteve të të tretëve nga prokurori Hoda, për të cilat Komisioni i ka kaluar barrën e proves. Nga verifikimet e kryera prej KPK-së rezulton se Hoda ka udhëtuar 18 herë jashtë shtetit me makinën e shtetasit H.M., kunati i tij, ndërsa vetë pronari i mjetit nuk e ka përdorur asnjëherë.

“Duket se subjekti është ‘de facto’ pronar i kësaj makine,” tha relatorja Çiftja.

Komisioni ka hetuar edhe lidhur me përdorimin e një tjetër mjeti nga ana e prokurorit Zeqir Hoda, që ka qenë në pronësi të shtetasit Q.H.. Sipas Komisionit, Q.H. ka qenë i proceduar dhe çështjet ndaj tij kanë qenë të regjistruara në prokurorinë ku ka punuar subjekti.

“Në këtë rast duket se subjekti është në kushte të konfliktit të interesit”, pohoi Çiftja.

Në lidhje me profesionalizmin, Komisioni konstatoi se ka aftësi në interpretimin e ligjit, identifikon normën ligjore të zbatueshme dhe analizon normën penale dhe se nuk ka masa disiplinore të përfunduara apo në fuqi. Por relatorja Çiftja tha se nga verifikimi i disa dosjeve janë konstatuar disa pasaktësi, për të cilat i janë kërkuar shpjegime subjektit. Ndërkohë janë gjetur edhe 3 ankesa, për të cilat Prokuroria e Përgjithshme, ka marrë vendim për t’i arkivuar.

Pranë KPK-së janë paraqitur 4 denoncime nga publiku, ku pretendohet se subjekti nuk ka bërë hetime për një çështje falsifikimi toke, ka ngritur akuzë të paqenë dhe se ka treguar indiferencë në një tjetër denoncim për përvetësim prone në Laç. Ndërsa Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka vlerësuar atë pozitivisht për pastërtinë e figures, duke e konsideruar të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Relatorja Etleda Çiftja pohoi se prokurori Zeqir Hoda ka dorëzuar dokumente dhe shpjegime të reja për gjetjet e hetimit administrative, të cilat do të shqyrtohen dhe do të merren parasysh në vendimarrje. Pas relatimit të çështjes nga anëtarja e Komisionit Etleda Çiftja, prokurori Zeqir Hoda shfaqi qëndrimin e tij për rreth një orë e gjysmë lidhur me gjetjet e KPK.

Ai u shpreh se babai i tij ka pasur mundësi për dhurimin e 300 mijë lekëve, pasi kishte punuar një jetë të tërë dhe se kur kishte dalë në pension në vitin 1994, vazhdonte të krijonte të ardhura për shkak se jetonte në fshat. Hoda tha se kjo gjë provohej nga fakti se i ati kishte pasur një depozitë bankare.

Prokurori Hoda u shpreh se dhe huadhënësit kanë pasur mundësi t’i jepnin atij vlerat 3000 dhe 4000 dollarë.

“Njëri prej huadhënësve ka pasur aktivitet privat që e mbylli në vitin 2004, ndërsa huadhënësi tjetër ka shitur një banesë në qytetin e Kukësit dhe disa vite më parë siguronte të ardhura nga dhënia e kësaj shtëpie me qira te persona të huaj,” tha prokurori Hoda, duke këmbëngulur se provat e dorëzuara prej tij vërtetonin burimet e ligjshme për apartamentin në Tiranë.

Ndërsa për konstatimin e pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për blerjen e apartamentit të dytë, Hoda tha se kishte rezerva për metodologjinë e përdorur në analizën financiare që sipas tij ka sjellë edhe këto efekte. Prokurori Hoda theksoi se jetesa e tij kishte qenë modeste dhe shpenzimet kishin qenë të limituara. Ai përmendi se jetonte ende në një pallat që nuk kishte shërbime dhe se ishte ndërtuar nga Enti i Banesave.

Ndërkohë, lidhur me udhëtimet jashtë shtetit, ai u shpreh se kishte shkuar tek familjarët e tij e jo për turizëm dhe se kishte pasur shpenzime minimale. Për përdorimin e automjetit të kunatit ai u shpreh se disa herë kishte udhëtuar për të shkuar në Tropojë, por ngaqë rruga ishte më e mirë nëse kaloje nëpërmjet Kosovës, janë regjistruar si udhëtime jashtë shtetit.

Prokurori Hoda pranoi se duhej të kishte qenë më i kujdesshëm lidhur me përdorimin e mjetit të një pesoni të proceduar në prokurorinë ku ai punonte, por sqaroi se hetimet ndaj tij ishin pushuar kur ai e ka përdorur këtë makinë. Hoda tha se i duhej të shkonte në Tropojë për një rast sëmundjeje dhe i nevojitej një fuoristradë dhe prandaj i kishte kërkuar mjetin shteasit Q.H.. Ai pohoi se në momentin kur ai ka përdorur mjetin, hetimet ndaj Q.H. ishin pushuar dhe se nuk kishte asnjë ndikim.