Kukësi gati të provojë shkëputjen, Tirana për vazhdimësi ndaj Bylisit

Java e 18 e Kategorisë Superiore, që është njëkohësisht edhe e fundit e gjysmës së parë të kampionatit, do të mbyllet sot me dy takimet e fundit, teksa në orën 14:00 Kukësi kryesues do të zbresë në fushë përballë Luftëtarit në Gjirokastër.

Verilindorët e mbyllën vitin me një barazim ndaj Skënderbeut, që erdhi pas disa fitoreve radhazi, ndërsa sot përballë Luftëtarit që renditet i parafundit dhe ka telashe të shumta, fitorja është një detyrim, për të tentuar shkëputjen në krye.

Gjirokastritët kanë marrë vetëm 1 pikë në 17 javët e para dhe janë kandidatët kryesorë për të rënë nga kategoria, bashkë me Flamurtarin, ndërsa situata vijon të jetë kaotike dhe nga faza e parë janë larguar edhe disa emra të rëndësishëm.

Nga ana tjetër Kukësi vjen me organikë të plotë dhe me një përgatitje mjaft të mirë të realizuar në Antalia të Turqisë, ndërsa trajneri Shpëtim Duro do të ketë mundësi të hedhë në fushë formacionin më të mirë për të tentuar ta nisë vitin me fitore.

Në orën 17:00 vëmendja do të jetë në kryeqytet, teksa Tirana do të presë në stadiumin “Selman Stërmasi” Bylisin surprizë të sezonit në Kategorinë Superiore.

Bardheblutë kanë bërë disa ndryshime në organikë, pasi janë larguar emra si Imami dhe Kërçiku, megjithatë baza është ruajtur dhe Egbo do të kërkojë triumfin për t’u dhënë vazhdimësi fitoreve, por edhe për t’u ngjitur në vendin e dytë.

Edhe te Bylisi ndihen gati për të rinisur aty ku e lanë, me rezultate pozitive, pasi mallakastriotët nuk fshihen më dhe kanë si objektiv një vend në kupat europiane, që do të ishte arritje e madhe për ta në vitin e parë të rikthimit në Superiore.