fbpx

Kukësi në Shkodër e Partizani në Durrës, luftohet në distancë për kreun

partizani-teutaa.jpg

Luhen këtë të mërkurë të gjitha sfidat e javës së 16-të të Kategorisë Superiore, e parafundit për vitin kalendarik 2019. Katër ndeshje do të zhvillohen në orën 13:00, ndërsa ajo përmbyllëse, Tirana-Flamurtari, në orën 16:00.

Sigurisht që vëmendjen kryesore e marrin përballjet me protagonistë dy pretendentët kryesorë për titull, Kukësin dhe Partizanin, që këtë mesjavë kanë transferta të vështira, verilindorët me Vllazninë në “Loro Boriçi”, ndërsa të kuqtë me Teutën në “Niko Dovana”.

Nënkampionët e Shqipërisë udhëtojnë drejt Shkodrës në një moment mjaft pozitiv, vetëm pak ditë pasi i morën kryesimin Partizanit me fitoren 4-0 ndaj Teutës. Verilindorët duket se e kanë kapërcyer përfundimisht tranzicionin e fillimsezonit, pasi skuadra, tashmë më e plotë, po bind në lojë dhe rezultate. Kukësi gjen në “Loro Boriçi” një Vllazni me entuziazëm, që vjen pas dy fitoreve radhazi dhe me moralin e lartë për t’i bërë ballë një ekipi me shumë potencial, siç është Kukësi.

Në Durrës, nga ana tjetër, Teuta dhe Partizani sfidohen me ndryshime në pankinë, pas shkarkimeve të Shkëmbit dhe Franco Lerdas. Të durrsakët kërkon debutimin me sukses shkodrani Edi Martini, ndërsa të kuqtë, nën drejtimit e Kalarit, në ndihmë të të cilit është edhe Genci Tomorri, synojnë me çdo kusht kthesën për të mos lëshuar më shumë terren ndaj kryesuesve të Kukësit.

Në Gjirokastër zhvillohet takimi Luftëtari-Skënderbeu, një përballje kjo mes dy ekipeve në krizë të thellë rezultatesh. Bluzinjtë, pasi u shkarkua greku Marantas, drejtohen nga Neritan Novi, i cili ka marrë përsipër që, të paktën në dy ndeshjet e mbetura të vitit, të ndryshojë disi situatën e zymtë që mbizotëron në skuadrën e “Qytetit të Gurtë”. Te Skënderbeu, Ilir Daja, ndoshta drejton ndeshjet e fundit në krye të korçarëve, të cilët kanë mbetur pa stimujt e duhur pas konfirmimit të pezullimit nga UEFA.

Një takim mjaft interesant dhe me shumë rivalitet zhvillohet në “Adush Muça” të Ballshit mes Bylisit dhe Laçit. Përplasen vendi i katërt me të dytin, dy ekipe që për lojën dhe grintën që kanë shfaqur në këto 15 javë të para nuk mund të quhen surprizë.

Takimi përmbyllës i kësaj të mërkurë luhet në “Selman Stërmasi”, mes Tiranës dhe Flamurtarit. Bardheblutë e kanë detyrim suksesin nga kuqezinjve pas asaj fitoreje të madhe në derbi, që mori vlerë të shumëfishtë, si për situatën që po kalonin 24 herë kampionët e Shqipërisë ashtu edhe për historinë e derbit (Tirana kishte rreth 6 vite që nuk fitonte me Partizanit). Përballë bardhebluve, që do të drejtohen edhe në këtë sfidë nga Egbo, Flamurtari në krizë të thellë dhe të gjithanshme.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303