Historia e Kuqezinjve në 2018

Screenshot_25-13.jpg

Kombëtarja shqiptare përmbylli një nga vitet më të komplikuara, teksa në 9 takime të zhvilluara, regjistroi vetëm dy fitore, një barazim dhe plot 6 humbje. Plot 53 lojtarë ka ftuar Christian Panucci gjatë kësaj kohe te kuqezinjtë, duke u dhënë mundësinë 46 të tillëve, të tregojnë veten në fushë, por rezultatet dhe loja, nuk kanë bindur aspak. Kuqezinjtë dështuan në Ligën e Kombeve, kompeticion të cilin e mbyllën me një humbje poshtëruese në “Loro Boriçi”, përballë Skocisë, ndërsa në fund të vitit, njohën edhe kundërshtarët e grupit të eliminatoreve të Euro 2020.

Momenti më i mirë. Fitorja 1-0 përballë Izraelit, në “Elbasan Arena”, mund të cilësohet si një nga të paktët momente të mira të kuqezinjve gjatë këtij viti. Në sfidën e parë të grupit, në Nations League, ishte mesfushori Taulant Xhaka ai që vendosi fatin e takimit, me një gol të shënuar në pjesën e dytë. Kombëtarja vinte pas humbjeve në miqësoret e qershorit dhe ky triumf dha shpresa për një edicion premtues në Ligën e Kombeve, ndonëse më pas erdhën 3 humbje radhazi.

Momenti më i keq. Humbja poshtëruese 0-4 përballë Skocisë, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në sfidën e fundit të Ligës së Kombeve. Ndonëse karikuan ambientin për një fitore me goleadë, kuqezinjtë “djallosën” gjithçka përballë britanikëve, duke nxjerrë plot 4 herë topin nga rrjeta. Sfida u komplikua herët për të besuarit e Panuccit, pasi Mavraj la fushën e lojës, i ndëshkuar me karton të kuq. Për herë të parë, tifozët shanë dhe ofenduan në kor trajnerin Panucci, duke kërkuar edhe shkarkimin e tij, ndonëse u vendos e kundërta.

Aventura në Ligën e Kombeve. Në edicionin e parë të këtij kompeticioni, kuqezinjtë fituan vetëm 1 nga 4 takimet, duke humbur 3 të tjerët dhe duke u renditur në vendin e fundit në grup. Gjithsesi pozitive për Shqipërinë ishte fakti që nuk ranë në Ligën D, pasi edhe edicionin e ardhshëm do të konkurrojnë po në Ligën C të këtij kompeticioni. Vlen të theksohet se i vetmi takim ku skuadra bindi, ishte sfida në Izrael, ku kuqezinjtë dominuan, ndonëse në fund dolën kokulur, duke u mposhtur 2-0.

Shorti i Euro 2020-ës. Goglat i rezervuan një short vërtetë interesant Kombëtares Shqiptare, pasi grupi premton për të ardhura të larta, por edhe shanse reale për kualifikim në fazën finale të Euro 2020-ës. Koka e grupit është Franca, që vjen me stofin e kampiones së botës dhe do të sjellë miliona në arkat e FSHF-së, nga e drejta televizive dhe sponsorët e ndryshëm. Gjithashtu, në grup janë edhe Islanda e Turqia, skuadra interesante, por me probleme në vitet e fundit. Pikërisht me këto të dyja, Shqipëria do të diskutojë një vend në Euro 2020. Andorra dhe Moldavia janë kundërshtarët e tjerë të grupit, të cilat shikohen si skuadra ku duhen marrë pikët maksimale.

Vit për t’u harruar edhe te Kombëtaret e moshave. Viti që lamë pas nuk solli rezultatet e pritshme edhe për përfaqësueset e moshave deri tek U-21. Kështu, Shpresat, që drejtohen nga Alban Bushi, e mbyllën fushatën eliminatore të Europianit në vendin e parafundit në grup, me vetëm 7 pikë (2 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje). Gjithashtu U-19 zhgënjeu duke mos marrë qoftë një pikë në grupin e saj. Edhe përfaqësuesja U-17 nuk arriti të kualifikohej në Elite Round, pasi u rendit në vendin e tretë dhe fitoren e vetme e arriti ndaj Azerbajxhanit të vendit të fundit. /S.S/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303