fbpx

Historia luftë ‘datash’, politika bëhet gazi i botës

voltana-ademi.gif

Se sa mund të presësh nga politika në Shqipëri, e kupton më së miri kur vjen dita për përkujtimin e një ndër datave më të rëndësishme për një komb, atë të Çlirimit. E politika jonë, ka mbetur në një debat çerekshekullor, se kur është çliruar Shqipëria, më 28 apo 29 nëntor. Një debat i mbetur vetëm në kuadrin e betejave boshe politike, pasi tashmë historia ka folur. Janë dëshmi të shumta, dokumente autentike, që faktojnë se “ushtari i fundit gjerman iku nga Shqipëria më 29 nëntor 1944”.

Por edhe një nga datat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, është ndarë mes së majtës dhe të djathtës. E djathta ndjek modelin si gjatë mandatit të parë të qeverisës, kur u ndryshua data e festës së Çlirimit, nga 29 në 28 Nëntor. Demokratët i qëndrojnë tezës se data është zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë. Por, 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare, siç vijon edhe sot.

Por ndërsa shqiptarët festuan duke kujtuar “kuqezi” këtë datë të rëndësishme, në Shkodër, u mbajt zi! Kështu e quajti kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, këtë ditë që sipas saj, nuk simbolizon në asnjë mënyrë Çlirimin e Shqipërisë. E ftuar mbrëmë në emisionin “Open” të Eni Vasilit, kryebashkiakja e Shkodrës, sqaroi përse e quajti ditë zie, një datë historike. Sipas saj, atë ditë, pra më 29 nëntor ’44, në qytetin e saj kishin hyrë komunistët dhe kishin bërë plaçkitje, madje edhe në shtëpinë e familjarëve të saj.

Lideri demokrat dhe të djathtët e nderuan ditën e Çlirimit, më 28 nëntor, në një ceremoni tek Varrezat e Dëshmorëve, të vetëm, pa qeverinë dhe presidencën, madje dhe pa aleatin në opozitë, LSI-në, të cilët ju bashkuan ceremonisë së vetme shtetërore, të Çlirimit të Shqipërisë më 29 Nëntor duke përkujtuar të rënët në monumentin “Nëna Shqipëri”.

Por a e kujtoi kryebashkiakja Ademi sakrificën e partizanëve që luftuan për lirinë e vendit, në datën festive të të djathtëve, më 28 nëntor?!

Ajo thotë se në atë ditë, ka qenë tek varri i Migjenit, poetit dhe prozatorit të shquar shqiptar të viteve 1930. Kjo deklaratë e saj nuk mund të mos shkaktonte të qeshura tek Auron Tare dhe Paskal Milo, të pranishëm në studion “Open” të Eni Vasilit, të cilët pasi nënqeshën me kryebashkiaken, i thanë se Migjeni nuk ka qenë partizan.

Por qytetarja e parë e Shkodrës u mundua të kamuflohet duke thënë se në  Varrezat e Dëshmorëve, prehen të gjithë ata që dhanë jetën për liri.

Ndërsa këmbëngul tek datat, 28-a apo 29-a, duke dalë jashtë punës së saj, pasi kjo çështje i takon vetëm historianëve të cilët prej kohësh e kanë mbyllur këtë kapitull, kryebashkiakja bën edhe një gafë të madhe, duke e quajtur partizan, shkrimtarin e letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Dukshëm kjo është thjesht një luftë politike e ulët datash! Pasi më 28 nëntor, Ademi nuk kishte si të përmendte të rënët e 2 prillit, Luigj Gurakuqin, apo edhe Migjenin, kontributi i të cilëve nuk është për çlirimin me armë të Shqipërisë, por me penë. Kështu, edhe më 28 nëntor, kryebashkiakja nuk ka vendosur një kurorë me lule në nder të sakrificës së partizanëve.

Më keq akoma. Vëmendja e saj si kryebashkiake ndaj personave që dhanë jetën për të shënuar historinë e vendit, tregohet më së qarti me gjendjen e Varrezave të Dëshmorëve në Shkodër.

Një vend ku prehen figura të jashtëzakonshme, mes pluhurit në një cep në periferi të Shkodrës….të harruar, sikur të mos kenë asnjë vlerë.

Vendi ku ndodhen Varrezat e Dëshmorëve në Shkodër

Çarja e madhe për datën e çlirimit mes së majtës dhe së djathtës pasqyrohet çdo vit në ditën që përfaqësuesit e forcave politike zgjedhin për të nderuar dëshmorët e kombit kudo në Shqipëri.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *