Kur përgjegjësit akuzojnë përgjegjësit!

kuvendi-1.jpg

Pas mbledhjes së të enjtes, ku u hodh poshtë dekreti i Presidentit Meta për Buxhetin 2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është mbledhur sërish sot në seancë plenare, në të fundit mbledhje për këtë vit, për të vijuar me diskutimet mbi vettingun në politikë dhe diskutimin e kandidaturave të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ajo që vihet re është prania në sallë e opozitës, e pranishme në Kuvend pas rreth 6 muajve bojkot parlamentar. E si për ironi është pikërisht opozita, e cila zgjodhi mbledhjen e fundit të Kuvendit për të shpëtuar mandatet e saj, me pretekstin e zgjidhjes së kauzës së studentëve dhe të banorëve të Unazës së Re, ajo që kërkon llogari për mosprezencën në mbledhjen e sotme të Kryeministrit Rama dhe disa anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar.

E për ta përforcuar këtë tezë, mjafton t’i hedhim një sy fjalimit të sotëm të ish-kryeministrit dhe ish-kreut demokrat, Sali Berisha, i cili në fjalën e mbajtur në seancën plenare, e ka quajtur të papranueshëm faktin që kryeministri Rama dhe ministrat nuk janë në sallë. Ai ka kërkuar nga ana e Nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi, të ndërpresë seancën e të thërrasë Ramën dhe ministrat të jenë të pranishëm.

Madje Berisha i është drejtuar me tone të ashpra edhe Pandeli Majkos, të cilit i ka thënë se kolegët e tij maskohen e të mbrohen me thinjat e tij. “A nuk vë re ti zonja kryesuese e seancës se përfaqësuesit më të zi të krimit janë zhdukur si minjtë dhe duan të mbrohen me thinjat e Majkos, ku janë ata, pse kanë frikë? Mendojnë se imazhi i Pandeliut do ti lajë fytyrën sot, të vijnë aty se sytë e kombit janë në ato karrige, bajlozë të krimit që po e zhbëjnë vendin, ndërpre seancën, detyroi të vijnë aty të qëndrojnë. Duhet të jesh në lartësinë e detyrës. Ti Pandeli ngjet si fals aty, i keqpërdorur, thirri kolegët të jenë aty, se duan të maskohen me ty. Vër nga një maskë në çdo karrige aty dhe të shohim si duket”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij në Kuvend, z. Berisha.

Jo vetëm Berisha sot, por edhe deputetë të tjerë të opozitës gjatë seancës së djeshme kanë kërkuar llogari për mungesën e Ramës në Kuvend.

Mjafton të kujtojmë këtu se është pikërisht përgjegjësia e opozitës, e cila me mosprezencën e saj në Kuvend, ka vonuar diskutimin dhe miratimin e vettingut në politikë, dhe jo vetëm. Megjithatë, kjo nuk lë pa përgjegjësi as palën tjetër, pasi të dyja janë përgjegjëse për situatën në të cilën ndodhemi.

Por, kreditet politike nuk mund të fitohen kurrsesi në një mënyrë të tillë, kur kemi një përgjegjës që akuzon përgjegjësin…

Megjithatë, e gjithë kjo sjellje ka vetëm një emër… POLITIKË…ku për fat të keq në Shqipëri janë të gjithë njësoj.

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303