Kurti i dërgon letra zyrtarëve të BE-së: I gatshëm për të punuar me ta rreth dialogut me Serbinë

albin-kurti-1.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shkruar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, të cilët i ka informuar për objektivat dhe qëllimet e qeverisë së re.

Kurti ka thënë se e vetmja mënyrë për marrëveshjen me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke e dy shteteve.

“Negociatat duhet të vazhdojnë. Ato duhet të jenë të përgatitura mirë si dhe të bazuara në parime. Arritja e një marrëveshje politike mes dy shteteve tona do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE dhe si mjet për arritjen e paqes afatgjate dhe stabilitetit në rajon”, thuhet ndër tjera në letër.

Kurti ka njoftuar zyrtarët e lartë evropianë edhe vendimin për heqjen e pjesshme të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës, me shpresën se Serbia do t’i heqë të gjitha barrierat për tregti me Kosovën, si dhe t’i japë fund fushatës së saj të çnjohjeve.

“Gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme ka pasur mungesë koordinimi midis përfaqësuesve të Republikës së Kosovës në lidhje me rolet e tyre individuale dhe qëllimet në dialogun me Serbinë. Kjo krijoi mungesë të qartësisë institucionale dhe asaj politike. Qeveria ime zotohet t’i japë fund kësaj. Si kryeministër, unë kam mandatin ekskluziv kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore të marr përgjegjësinë për përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Mezi pres të punoj së bashku me ju”, shkruan Kurti.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303