Kush e vrau biznesmenin e njohur?

Vetëm pak orë pasi financiari i profilit të lartë, Jeffrey Epstein u gjet i vdekur të shtunën, teori të pabazuara për vdekjen e tij nisën të tërheqin vëmendjen në internet.

Epstein do të dilte në gjyq për trafik seksual dhe komplot. Ai vrau veten në qelinë e tij të burgut në Nju Jork. Ai akuzohej për drejtimin e një rrjeti të gjerë vajzash minorene për seks dhe ishte vetëdeklaruar i pafajshëm gjatë muajit të shkuar.

66-vjeçari ishte i njohur për miqësinë me personazhe të famshëm. Presidenti Donald Trump, ish-presidenti Bill Clinton dhe princi i Mbretërisë së Bashkuar, Andrew, të gjithë kishin lidhje me të. Disa nga bashkëpunëtorët e tij të fuqishëm kanë akuza kundër tij, çka ka shërbyer vetëm për të nxitur teoritë e konspiracionit.

Shumë thashetheme janë përqendruar tek ajo që mund të dinin politikanët për krimet e supozuara të Epstein, dhe nëse disa prej tyre mund ta kenë dashur të vdekur. Nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se ky është rasti. Megjithatë në rrjet po qarkullon hashtagu ‘Vrasja e Epstein’.

Imazhe me humor dhe meme- që sugjeronin gjithçka, duke nisur nga një vetëvrasje e trilluar e deri tek një vrasje e orkestruar- u shpërndanë gjatë ditës. Facebook, Twitter dhe YouTube u mbushën me teori të pabazuara për atë që mund t’i kishte ndodhur financierit.

Por këto spekulime të egra nuk u kufizuan tek një pakicë. Politikanë dhe gazetarë të profilit të lartë gjithashtu nxitën spekulime të shfrenuara, në një kohë kur pak informacione ishin të disponueshme publikisht.

Gazetari i MSNBC, Joe Scarborough shkroi: “Një person që ka informacione që do të shkatërronin jetët e të pasurve dhe të fuqishme, përfundoi i varur në qelinë e tij. sa e parashikueshme… rusët”.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio tha se ishte shumë e qartë se Epstein nuk mund të inkriminonte të tjerët.

“Ajo që duam të dimë shumë prej nesh është se sa milionerë dhe miliarderë ishin pjesë e aktiviteteve të paligjshme ku ishte angazhuar ai”.

Të tjerë thashetheme fokusohen tek fakti se si një burrë, që u gjet gjysmë i vetëdijshëm dhe me plagë në qafë një javë më parë, ishte në gjendje të vriste veten. Pati raportime se pas këtij rasti, Epstein ishte vendosur nën mbikëqyrje për mundësinë e vetëvrasjes. Kjo bëri që shumë njerëz të pyesin se si mund të vriste veten kur ishte kaq i monitoruar.

“Çfarë do të thotë të jesh nën monitorim vetëvrasjeje?” shkroi avokati personal i presidentit Trump, Rudy Giulani. “Kush po e monitoronte? Është e pamundur që Epstein të ketë vrarë veten në këto rrethana”.

Por zyrtarët e burgut thanë më vonë se Epstein ishte hequr nga monitorimi për mundësinë e vetëvrasjes. Teoritë e konspiracionit më pas u fokusuan tek fakti se përse ishte marrë ky vendim.

Ndoshta teoritë më të përhapura lidheshin me hashtaget NumërimTrupashClinton dhe NumërimTrupashTrump. E para përdorej kryesisht nga konservatorët për të sugjeruar se Çifti i Parë, Bill dhe Hillary Clinton ishin të lidhur me vdekjen e Epstein. Tjetra përdorej nga liberalët, që spekulonin se Trump ishte i përfshirë në një farë mënyre. Asnjëra palë nuk ka prova për këtë.

Teoria e pabazuar e përfshirjes së Clinton daton në një tjetër konspiracion të nisur në vitet 1990, ku pretendohet se çifti i vriste fshehurazi armiqtë e tyre.

“Nuk ka prova që sugjerojnë se një person i jashtëm urdhëroi vdekjen e Epstein, dhe sigurisht asnjë dëshmi se ky person ishte Bill Clinton,” shkroi Dylan Mattheës në VOX.

“Zoti Clinton nuk di asgjë për krimet e tmerrshme për të cilat Epstein është shpallur fajtor në Florida disa vite më parë, apo për ato për të cilat akuzohet së fundmi,” tha zëdhënësi i tij, Angel Urena.

Por zoti Trump nxitoi që të hidhte benzinë mbi zjarr. Ai shpërndau një mesazh nga Terence Williams, një komedian dhe mbështetës i Trump, ku pretendohet se ‘Epstein kishte informacione për Bill Clinton dhe tani ai ka vdekur’. Nuk ka prova për ta mbështetur këtë, por mesazhi u shpërnda 55 mijë herë.

Të tjera teori ishin më të lehta për t’u rrëzuar.

Për shembull, një foto ku dukej Trump teksa puthte kokën e vajzës së tij, Ivanka, teksa qëndronte pranë Epstein, është ekspozuar si e rreme.

Në mënyrë të ngjashme, pas arrestimit të Epstein më 6 korrik, u përhap një teori se prokurorët kishin arritur një marrëveshje të fshehtë me financierin nën administratën e zotit Obama, për të mbrojtur shokun e tij demokrat, Clinton. Kjo teori u rishfaq të shtunën.

Por kjo marrëveshje, ku Epstein pranonte fajësinë për disa akuza më të vogla, në të vërtetë u përfundua përpara se zoti Obama të merrte postin.

Disa politikanë dhe gazetarë kanë nxitur njerëzit të bëjnë kujdes duke pasur parasysh sasinë e madhe të dizinformacionit në internet.