fbpx

Kuvendi miratoi “5 Qershorin”, reagon Opozita e Bashkuar, ka një mesazh për Ramën

1593612091_opozita.jpg

Pas votimit në Kuvend të marrëveshjes për reformën zgjedhore të 5 qershorit, opozita e bashkuar ka reaguar nëpërmjet një deklarate dhe këmbëngul te tërheqja e mazhorancës nga ndryshimet kushtetuese, duke thënë se do të minonin këtë marrëveshje. Në deklaratën për media thuhet se opozita jashtëparlamentare është e gatshme të vijojë dialogun për çdo çështje, për sa kohë nuk cenohet marrëveshja e 5 qershorit përmes ndryshimeve të njëanshme kushtetuese.

Deklarata e plotë

Miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Ky është qëllimi i Opozitës së Bashkuar, që nga 14 Janari, ku jemi angazhuar në mirëbesim në Këshillin Politik. Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve, dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Opozita e Bashkuar shpreh mirënjohjen ndaj SHBA – BE dhe Vendet Anëtare – Britania e Madhe –  OSBE për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar për arritjen e një Reforme Zgjedhore konsensuale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303