fbpx

“La Casa de Papel 4” na tregoi pse seriali duhet të kishte mbaruar që në sezonin e dytë

“La Casa de Papel”, në anglisht ”Money Heist”, në shqip ”Shtëpia prej letre” edhe pse askush nuk e thotë këtë, është padyshim një prej serialeve më të ndjekur në botë. Sezoni i katërt që doli në Netflix në 3 prill e demostroi mjaft qartë këtë dhe zhurma që u bë për atë që i ndodhi Profesorit dhe bandës së tij në 8 episodet e fundit, ishte gati gati e njejtë me atë të sezonit të fundit të ”Game of Thrones”.

Sigurisht shumica e fansave e ndoqën sërish me fanatizëm, madje kishte dhe nga ata që e mbaruan të gjithë sezonin brenda një gjysëm dite, këtu përfshihem dhe unë, megjithatë si rrallë herë pati mendime goxha kritike për atë që u pa në ekranin e vogël dhe këtu sërish bëj pjesë edhe unë. Për mua “La Casa de Papael 4” ishte dëshmi e faktit që seriali duhet të kishte mbaruar në sezonin e dytë dhe të qëndronte me ne si një nga serialet më cilësore që kishim parë. Arsyet pse jua them pak më poshtë por një paralajmërim, ka spoliera super gjigandë kështu që nëse nuk e keni parë akoma dhe turp t´ju vijë, jepini artikullit “save” dhe lexojeni më vonë.

Ashtu si sezoni i tretë edhe tek i katërti duket sikur është zbehur qëllimi i bandës së grabitësve.Për t´ju rikthyer punës së tyre, krijuesit ju desh që të forconte situatën e ndarjes së Tokyo-s dhe Rio-s dhe kapjen e këtij të fundit, që nuk më është dukur kurrë arsye madhore pse të gjithë ata duhet të ktheheshin dhe të bënin goditjen që po shohim tani në ekran dhe të rrezikojnë deri në këtë pikë atë që arritën. Për mua, nëse Profesori do më kishte thënë duhet të kthehemi sërish, ksëaj rradhe kundër gjithë botës dhe të rrezikojmë jetën për të ndrequr gabimin e Tokyo-s, do thoja jo dhe do vazhdoja të bëja qejf me shumë mundësi në Maldive sepse Tokyo gjithmonë bën gabime dhe në mos tani një herë tjetër do i ndodhte.

Pra duket sikur nuk kanë motiv dhe ndryshe nga dy sezonet e para, nuk kanë as edhe një Berlin. Duhet ta pranojmë që Berlini është personazhi më interesant në këtë serial dhe sigurisht vdekja e tij, e bëri të paharrueshëm dhe i dha dramacitetin e duhur fundit të sezonit dy. Por tani që nuk është më, janë detyruar ta fusin në formën e kujtimeve, sepse askush nga personazhet e tjerë nuk e mbush dot hapsirën e tij. Përpiqet pak Palermo por është shumë larg. Pa Berlin-in dhe egocentrizmin e tij, mëhhh…

E duke u nisur nga Palermo, personazhet e rinj janë larg perfektes. Përveç Alicias që duket e vetmja me një qëllim dhe është aq antipatike sa e meriton titullin si personazhi antagonist, të tjerët janë të ekzagjëruar, si Gandia në versionin Rambo, apo serbët që ndihmojnë Profesorin dhe njëherë janë 10, njëherë janë 20, nuk kuptohet qartë. Vdekja e Nairobit është shumë e dhimbshme dhe jam dakord që seriali duhet të ketë humbje të mëdha, emocionet e publikut duhet të testohen vazhdimisht. Megjithatë zhvillimi i karakterit të saj në këtë sezon, pra e shpëtojnë nga vdekja, bën një fjalim emocionues, tregojnë planet e saj dhe pastaj e vrasin, më duket krejt pa sens.

Ah po edhe një herë, Gandian nuk e kap asnjë plumb mes goditjes së 6 apo 7 mitralozëve dhe ka kohë që ta lëshojë Nairobin, t´i mbajë një fjalim dhe pastaj ta vrasë. Kjo hyn tek skenat e ekzagjëruara dhe shkëputja nga realiteti, që deri në sezonin dy ishte i ruajtur me shumë fanatizëm. Mos flasim pastaj për blerjen e anti-tankëve, helikopterëve apo një rrjeti të tërë hacker-ash nga Pakistani sikur janë karamele.

Ka dhe gabime të pafalshme, si komunikimi i kreut të Inteligjencës Spanjolle me një toruturues në Algjeri me anë të e-mail, apo gjetja e banesës së Profesorit, njeriut më të kërkuar të Europës për aq kohë, thjesht nga ca kamera rruge. Duket sikur kanë gjetur zgjidhjen më të thjeshtë dhe publikut që e kanë stërvitur me zgjidhje të vështira, kjo nuk i pëlqen. Ka dhe disa gjëra të tjera që nuk shkojnë por që ta mbyllim, duket sikur seriali ka humbur esencën dhe në këtë pikë po zgjatet kot. Sigurisht ka dhe skena që vetëm La Casa De Papel mund t´i dhurojë, si ”funerali” i improvizuar i Nairobi-t, këndimi i “Ti Amo” nga murgjit, dashuria e Palermos dhe Berlinit, Profesori që thur një nga planet më të paparashikueshëm të të gjitha kohërave, por në fund, këto i pamë të gjitha dhe në dy sezonet e para dhe morëm gjithçka deshëm, edhe me cilësi e përmbajtje. Mund të kishim spin off-e të personazheve gjithsesi.

Thënë të gjitha këto, sigurisht që sezonin e 5-të dhe me shumë mundësi të 6-të do ta shohim patjetër, sepse nuk mund të mos e mbarojmë historinë deri në fund, duhet të marrim vesh çfarë do ndodhi, por tani po bëhet e lodhshme./ Marrë nga News31.al