fbpx

Lajçak takoi ambasadorët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bruskel

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, takoi të hënën në Bruksel ambasadorët e shteteve të rajonit.

Lajçak shkoi në Bruksel dy muaj pasi u emërua në këtë post, pasi, deri më tash, për shkak të pandemisë së koronavirusit, është detyruar të punojë nga shtëpia e tij në Bratisllavë.

Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë njoftoi vetë për takimin me ambasadorët, duke shkruar në llogarinë e tij në Twitter se “ishte mirë të fliste me të gjashtë ambasadorët e Ballkanit Perëndimor në ditën e tij të parë në Bruksel”.

“Patëm një diskutim konstruktiv rreth situatës në rajon dhe procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian. I njoftova ata me planet e mija në lëvizjet përpara”, tha Lajçak.

Gjashtë ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshijnë ata të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës.