Lajmi fundit/ Atentati ndaj Prokurorit Ndoja, arrestohet nipi i deputetit Rraja

Redjan Rraja, 34-vjeç, është i arrestuari i parë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, ndodhur të premten e 1 nëntorit.

Redjan Rraja është nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, një personazh ky me influenca të forta në zonën e Fushë Krujës.

Mësohet se Redjan Rraja është arrestuar teksa ishte duke u larguar nga Shqipëria në aeroportin e Rinasit. Policia dhe prokurori kanë kërkuar arrestimin e tij për shkak se kanë gjetur gjurmët e gishtave në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, në ditën kur ndodhi atentatit.

Deri më tani raportohet se vetë Rraja nuk e ka pranuar që të ketë qenë pjesë e atentatit, dhe as të ketë dijeni në lidhje me të.

Emri i Redjan Rrajës, me profesion mjek, nuk është i panjohur për policinë, pasi ai akuzohet se ka prishur provat në vrasjen e Enton Çiços.