Lajmi fundit/ Policia zbardh plagosjen në Vlorë, në pranga 4 persona

Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur para 6 muajsh në zonën e Ujit të Ftohtë ku mbeti i plagosur një person. Sipas një njoftimi zyrtar, policia ka finalizuar operacionin e koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit janë ndaluar katër shetas.

Të ndaluarit raportohen se janë Daut Elmazi, 25 vjeç, Albano Goxhaj 24 vjeç, Dejvison Serjani 28 vjeç, Ardjan Ahmeti 26 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, Policia dokumenton ngjarjen e ndodhur në maj të 2019.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.

Vihen në pranga 4 shtetas.

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:

Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:

  • D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;
  • A. G., 24 vjeç, banues në Fier;
  • D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;
  • A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.