fbpx

Le të më vrasin, do vete në Çamëri

cameria1-780x439.jpg

Nga IDA NURÇE

Do marr ca flamuj në krah e do iki në mes të Çamërisë. Do shkoj të nderoj ata burra, gra e fëmijë që u masakruan nga dora e Greqisë. Dua të ngre ca flamuj, t’ju kujtoj që janë shqiptarë, e që ne nuk i kemi harruar.

E vetme do e mbaj një ceremoni. Do i nderoj siç ata e meritojnë. Do hedh edhe ca pika lot.

Mos i tregoni askujt! Mos të më vijnë as mediat nga pas. Besoj se Greqia do më vërë në dispozicion forcat policore greke, që të më mbrojnë nga ndonjë agresor i mundshëm. Të më mbrojnë se ata eshtra të pafajshmish dua t’i nderoj tamam, pa më shqetësuar njeri.

Dua t’ju ngre edhe një memorial e mbi pllaka guri të shkruaj emrat e tyre. Po për emrat si t’ia bëj?! Do i njoh nga era. Do marr një qen kufiri e të më tregojë emrat e tyre, sipas erës që ata mbajnë. Ç’të keqe ka? Të paktën do e vërtetoj me diçka që janë shqiptarë. Ja kështu do e zgjidh edhe këtë gjë.

Por do i bëj të gjitha këto në mes të Greqisë, se policia e atjeshme do jetë me mua, do më mbrojë! Ndaj, mos ma largoni në asnjë moment, që të mos ulet asnjë flamur shqiptar! Të mos bëhet ky gabim, se po ndodhi, një armë do e kem me vete se s’bën. Do më qellojë në ndonjë çantë, a xhep palltoje, me siguri. Do qëlloj në ajër dhe me siguri, plumbat nga ajri do bien mbi makinat e efektivëve të policisë! Sepse ata do e kenë fajin. Vetëm ata, edhe nëse erë fryn, flamurin ata do e shkundin. Ndaj do i tremb.

Por kam frikë se ndonjëri do e kuptojë që po qëlloj unë e do më vrasin.

Por trupin ma lini atje, në mes të Çamërisë, që të nderohem si dibrane që vdiq për atdhe. Të më shpallin edhe heroinë, të më bëjnë edhe një lapidar, e në gur të ma gdhendin “Vdiq se qëlloi mbi policinë”! Këtë pakt bëjeni vetëm me Greqinë.

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *