Legjionarët / Armando Sadiku shënon sërish, “zverdhet” Bare

Tjetër gol nga Armando Sadiku për Malagan, i treti në këtë sezon për sulmuesin shqiptar në Spanjë. 27-vjeçari realizoi me kokë nga jashtë zonës në suksesin 0-2 në fushën e Deportivo La Corunas pikërisht kur kishin mbetur edhe pak minuta para se të përfundonte koha e rregullt, me skuadrën andaluze që kryesonte me gol të Villanuevas që në fund të pjesës së parë.

Sadiku, ashtu sikurse Keidi Bare, u aktivizuan titullarë në transfertën galiciane dhe të dy qëndruan në fushë deri në vërshëllimën e trefishtë të kryesorit. E nëse Sadiku iu gëzua golit, Bare, i cili kthehej te Malaga pas performancës shumë të mirë me Kombëtaren Shqiptare, u ndëshkua me karton të verdhë vetëm 2 minuta para se sulmuesi kuqezi të shënonte.

Me këtë fitore Malaga mbetet në zonën e ftohtë (vendi i 19-ë) me 11 pikë, por diferenca me zonën play off është vetëm 8 pikë.