Legjionarët/ Strakosha bind, Hysaj ‘harrohet’ në stol

Lazio mori një tjetër humbje në kampionat kundër Juventusit, në shifrat 2-1 dhe kjo ishte dhe disfata e dytë radhazi për bardhekaltërit. Nëse një pjesë e ekipit, së bashku me trajnerin, janë vendosur në qendër të kritikave, Thomas Strakosha jo. Gardiani kuqezi edhe një herë tjetër nuk është cilësuar si fajtor për golat e pësuar, ndërsa performanca e tij është vlerësuar me notën 6.

Atalanta mori një barazim 3-3 kundër Romës, në një ndeshje të madhe të bergamaskëve, që arritën të rikuperonin disavantazhin e tre golave. Vlerësim pozitiv për dyshen kuqezi në radhët e Atalantës, Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha. Për mbrojtësin shkon nota 5.5, ku peshon një pjesë e parë e dobët nga ana e tij, por gjatë pjesës së dytë arrin të rikuperojë duke mos gabuar në asnjë moment. Përsa i përket golave të pësuar, Berisha nuk ka përgjegjësi dhe gardiani nga Prishtina është vlerësuar me notën 6.

Mbetemi në kampionatin italian, ku për Elseid Hysajn vijon të jetë situatë e vështirë, pasi ndeshjen që zhvilloi Napoli kundër Milanit, shkodrani e pa nga stoli, sepse nuk u preferua për asnjë minutë nga Carlo Ancelotti.

Minuta të pakta edhe për sulmuesin shkodran Sindrit Guri, në kampionatin belg, në takimin mes Oostendes dhe Club Bruugges. Sulmuesi u aktivizua në minutën e 86′, kur rezultatin i takimit ishte në shifrat 2-1 në favor të kundërshtarit, ndërsa nuk arriti të bëjë asgjë për të ndryshuar shifrat.

Në Turqi, Rizespor ku aktivizohet sulmuesi i përfaqësues së Kosovës, Vedat Muriqi, u përballë me Akhisarsporin e Sokol Cikalleshit. Fitues të sfidës ishin vendasit, të cilët triumfuan në shifrat 3-1, ndërkohë që Muriqi arriti të shënonte dhe golin e dytë për të tijtë. Titullar që nga minuta e parë, por Cikalleshi nuk arriti dot të linte gjurmë, pavarësisht se paraqitja e sulmuesit u cilësua pozitive.

Elis Bakaj ndërkohë ka arritur të lërë gjurmë në ndeshjen miqësore që zhvilloi Shaktjor Soligorsk kundër Hajdukut të Splitit. Bakaj ishte autor i golit të barazimit, ndërsa në fushë për skuadrën kroate ishin dhe mbrojtësi i kombëtares Ardian Ismajli, së bashku me sulmuesin e përfaqësues kuqezi të 21-vjeçarve, Emir Sahitin.