fbpx

Leja e qëndrimit/ Emigrantët shqiptarë në Itali duhet ta lexojnë patjetër këtë njoftim

Italia.jpg

Të gjithë emigrantët shqiptarë që duan të pajisen më një leje qëndrimi në Itali kanë afat edhe 4 ditë kohë.

Nga 1 qershori deri më 15 gusht tashmë, pasi afati fillestar ishte deri më 15 korrik dhe u shty me vendim të qeverisë italiane, për shumë prej tyre që kanë një vend pune, hapet një dritare për t’u pajisur me lejeqëndrim.

 

Kur mund të paraqitet kërkesa e legalizimit?

Kërkesat paraqiten vetëm online nga data 1 qershor deri më 15 gusht, nga ora 7:00 deri më 22:00 përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/, siç veprohet tashmë prej vitesh kur kërkohet një kuotë gjatë dekreteve të flukseve. Nuk është e nevojshme të nxitohet për paraqitjen e kërkesës, nuk ka një kufi maksimal kërkesash të pranueshme.

Si mund të hyhet në sistemin e informatizuar të ministrisë së Brendshme?

Për të paraqitur kërkesën, punëdhënësit duhet të regjistrohen përmes kodit identifikues SPID (SPID – Sistem Publik i Identitetit Digjital është kod identifikues digjital (përdorues e fjalëkalim) që lejon hyrjen në të gjitha shërbimet online të Administratës Publike italiane qoftë nga kompjuter, nga tablet apo celular). Kush nuk e ka, mund të shkojë në AgID – Agjencia për Italinë Digjitale (www.agid.gov.it), të shtypë butonin SPID e të ndjekë udhëzimiet për t’u pajisur me të, sqaron Shqiptari i Italise.

Kush mund të paraqesë kërkesë legalizimi të punës?

Kërkesa mund të paraqitet nga punëdhënësi që do të lidhë një marrëdhënie pune të re me shtetas të huaj të pranishëm në territorin italian, ose që do të deklarojë ekzistencën e një marrëdhënieje pune të parregullt me shtetas italianë, evropianë ose të huaj të pranishëm në territorin italian. Punëdhënësit mund të jenë:

– italianë,

– shtetas të BE-së,

– jokomunitarë me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë,

– jokomunitarë me kartë qëndrimi si familjarë të një shtetasi të BE-së,

– jokomunitarë me kartë qëndrimi të përhershme si familjarë të një shtetasi të BE-së.

Kush mund të legalizohet?

Kur është fjala për legalizim të marrëdhënies së punës me të huaj apo të lidhjes së një kontrate të re me një të huaj, mund të paraqitet kërkesë legalizimi vetëm për punonjësit të pranishëm në Itali që para 8 marsit 2020 e që nuk janë larguar asnjëherë nga Italia prej asaj date.

Mund ta dëshmojnë me shenjat e gishtërinjve dhënë forcave të rendit, ose me vulën e hyrjes në territorin italian në pasaportë apo përmes “deklaratës së pranisë” që bëhet në kuesturë brenda 8 ditëve nga hyrja në Itali, ose me çfarëdo dokumenti me datë të lëshuar nga zyra shtetërore apo private që kryejnë shërbim publik (për shembull, kartelë klinike e një spitali, librezë abonimi e transportit publik, apo një dokument shkolle, kur i huaji ka bij të mitur) që duhet të paraqesin këtë dokumentacion kur të thirren në Sportelin Unik për Imigracionin.

Siç u tha më lart, punëdhënësi mund të paraqesë kërkesë legalizimi në favor të një shtetasi të huaj të pranishëm në territorin italian që para 8 marsit. Këtu hyjnë edhe kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare (pavarësisht nga se kur kanë paraqitur kërkesë), ata të cilëve u është mohuar e drejta e qëndrimit, të parregulltit, mbajtësit e një lejeqëndrimi të vlefshëm, të huajt që kanë marrë një masë dëbimi për shkelje të rregullave të hyrjes dhe qëndrimit në Itali, ata që kanë leje qëndrimi që nuk mund të konvertohët në leje pune (për shembull lejeqëndrim për studime, turizëm, trajtim mjekësor, arsye fetare, mbrojtje të veçantë).

Normativa përcakton që për legalizimin e marrëdhënies së punës duhet paguar kontributi forfetar 500€ për çdo punonjës. Kur duhet paguar, para datës 15 gusht? E çfarë ndodh nëse paguhet pjesërisht ose paguhet me vonesë?

Kontributi 500€ për çdo punonjës duhet paguar para paraqitjes së kërkesës, duke përdorur “formularin F24 me elementë identifikues”. Kërkesa nuk mund të pranohet nëse kontributi nuk paguhet, apo paguhet pjesërisht.

Përveç kontributit forfetar 500€ duhet paguar gjë tjetër?

Vetëm në rastin e legalizimit të një marrëdhënieje pune ekzistuese, veç kontributit 500 eurosh, punëdhënësi duhet të paguajë edhe kontributet dhe taksat e prapambetura për sa kohë ka pasur në të zezë punonjësin që po legalizon. Shuma e tyre do të përcaktohet me një dekret të Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, që ende nuk është miratuar deri më tani. Pagesa mund të bëhet edhe pas paraqitjes së kërkesës, por gjithsesi përpara se palët të thirren për të nënshkruar kontratën e qëndrimit në Sportelin Unik për imigracionin ku punëdhënësi duhet të tregojë kuponet e dy pagesave.

Ç’të ardhura duhen pasur?

Për të përfituar nga procedurat e legalizimit në sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, punëdhënësit duhet të kenë të ardhura të tatueshme jo më të ulëta se 30.000€. Nëse i njëjti punëdhënës kërkon legalizimin për disa punonjës, do të jetë Inspektoriati territorial i Punës që do të vlerësojë përshtatshmërinë e aftësisë ekonomike të punëdhënësit nga pikëpamja e përmbushjes së kriterit të të ardhurave.

Në rastin e legalizimit të bashkëpunëtorëve familjarë:

kur punëdhënësi është person juridik (komunitet fetar, shtëpi fëmijësh, shtëpi-familje, azil të moshuarish, kazermë ushtarake etj.), të ardhurat vjetore nuk mund të jenë nën 30.000€.

kur punëdhënësi është person fizik të ardhurat duhet të jenë:

– të paktën 20.000€ kur familja përbëhet vetëm nga një person;

– nuk duhet të jenë më të ulëta se 27.000€ në rast kur familja ka disa pjesëtarë bashkëjetues, të ardhurat minimale.

Në rastin e punëdhënësit person fizik, kur të ardhurat janë të pamjaftueshme mund të mbidhen me ato të bashkëshortit dhe të familjarëve deri në shkallë të dytë edhe nëse nuk janë bashkëjetues.

Një i moshuar që jeton vetëm e nuk ka të ardhura të mjaftueshme, a mund të punësojë personin që kujdeset për të? A mund ta bëjë punësimin një familjar i tij?

Për të legalizuar një marrëdhënie pune me një kujdestar nuk duhen treguar të ardhura por një certifikatë mjekësore nga e cila të rezultojë kufizimi i vetëmjaftueshmërisë. Në kërkesën që paraqitet online duhen shënuar vetëm të dhënat e certifikatës mjekësore, origjinali duhet të paraqitet në origjinal kur punëdhënësi e i huaji të thirren në Sportelin Unik.

Marrëdhënien e punës me kujdestarin për një person me aftësi të kufizuara mund ta lidhë edhe një familjar. Duhet mbajtur parasysh që në këtë rastin e fundit, pra kur kërkesën nuk e bën vetë i interesuari që ka aftësi të kufizuara për shkak të sëmundjes por një familjar i tij, ky duhet të tregojë se ka të ardhura të mjaftueshme.

Një avokat, me prokurë të lëshuar nga punëdhënësi, mund të aplikojë me SPID-in e tij në emër e për llogari të punëdhësit?

Kushdo që ka një SPID personal, jo vetëm një profesionist, mund të regjistrohet në sistemin e ministrisë së Brendshme e të nisë kërkesë në emër e për llogari të punëdhënësve të tjerë, mjaft që të jetë i deleguar ta bëjë këtë gjë. Prokura duhet të paraqitet më pas në Sportelin Unik.

Një i huaj që ka paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare, për të kërkuar një leje qëndrimi për punë me legalizimin e tanishëm, duhet të heqë dorë nga kërkesa e parë për mbrojtje?

Për të kërkuar leje qëndrimi për punë përmes procedurës së legalizimit, të huajit nuk i kërkohet të heqë dorë nga kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare. Në rast se, pasi merr lejen e qëndrimit, punonjësit të huaj i njihet edhe mbrojtja ndërkombëtare, ai duhet të zgjedhë një prej dy dokumenteve të qëndrimit.

Një punonjës i pajisur me lejeqëndrim falë këtij legalizimi, mund të punojë vetëm në sektorët e parashikuar nga sanatoria?

Lejeqëndrimi për punë i marrë përmes procedurës së legalizimit i lejon punonjësit që më pas të mund të kryejë çfarëdolloj pune.

A mund të paraqitet kërkesë legalizimi për një punonjës me kartë identiteti apo pasaportë të skaduar apo që ka një certifikatë identiteti të lëshuar nga përfaqësia diplomatike e të huajit?

Po, kërkesa mund të paraqitet edhe duke shënuar në të të dhënat e një dokumenti të skaduar, të dëshmisë së identitetit apo të lejeqëndrimit të skaduar, por në çastin e nënshkrimit të kontratës së qëndrimit, i huaji duhet të ketë një dokument identiteti (pasaportë) apo një dokument të barasvlefshëm (certifikatë identiteti) të vlefshëm që ta tregojë bashkë me atë të skaduarin të shënuar në kërkesë.

Përgjigjet e pyetjeve më të shpeshta të Ministrisë së Brendshme (italisht): FAQ Emersione dei Rapporti di Lavoro – Ministero dell’Interno.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303