fbpx

Leja prindërore e Gjin Gjonit, KLD: Keqardhje për deklaratën e Gjonajt

GJini.jpg

Gjyqtari Gjin Gjoni

Pas kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni për të marrë leja 2-vjeçare, ka reaguar Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Teksa i përgjigjet ministres së Drejtësisë Etilda Gonaj për deklaratat se kërkesa për Gjonin është pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme, KLD thekson se më datë 11 tetor 2018 u zhvillua mbledhje për çështjen në fjalë.

“Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj”, thuhet në deklaratë.

DEKLARATA E KLD

Zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i është përgjigjur interesit të medias dhe pyetjes sonë në lidhje me deklaratën publike të Ministres së Drejtësisë, e cila kundërshtonte vendimin më të fundit të KLD-së “Për miratimin e Lejes prindërore për gjyqtarin Gjin Gjoni”.

Mbi këtë deklaratë ai sqaroi se: Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy çështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese KLD ka vendosur: “Të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, shprehim keqardhjen për pasaktësitë në përmbajtjen e saj, pasi së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj. Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj.

Është i pavërtetë gjithashtu dhe deklarimi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar. Gjithashtu sqarojmë se z.Gjin Gjoni, nuk ka marrë pjesë në votimin e kësaj pike shtesë të rendit të ditës.

Në funksion të pyetjes suaj, sqaroj se, çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë, jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi përsa kohë ky organ do të jetë funksional.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *