Liderët europianë komentojnë marrëveshjen e Brexit

download-27.jpg

27 udhëheqësit e BE-së u mblodhën ditën e dielë për të miratuar një traktat të detajuar që përcakton kushtet mbi të cilat Britania do të largohet nga Bashkimi Europian dhe një deklaratë që përshkruan se si Britania mund të mbajë afër tregun e saj më të madh duke ndjekur shumë rregulla të BE pas një periudhe tranzicioni dy deri në katër vjet.

Shumë liderë europianë komentuan mbi marrëveshjen e Brexit dhe aprovimin e saj nga 27 liderët europianë, duke shprehur keqardhjen e tyre që Britania po largohet nga Bashkimi Europian.

“Ju me siguri mund të thoni se ishte një samit historik dhe një ditë historike, e cila prodhon emocione të përziera. Është tragjike që Britania e Madhe largohet nga BE pas 45 vjetësh, por ne duhet të respektojmë votën e popullit britanik dhe, duke u bazuar në këtë, është mirë që ne kemi rënë dakord për një marrëveshje tërheqjeje dhe një deklaratë politike për lidhjet e ardhshme me Britaninë e Madhe. ”

Bisedimet e deritanishme kanë qenë të vështira, por ne duhet të bazohemi në moton ‘ku ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Në këtë situatë tragjike dhe të trishtuar, ajo që është e mirë është se ne kemi hyrë në një rrugë të vështirë me këtë marrëveshje të tërheqjes dhe kjo duhet të na japë siguri dhe forcë në mënyrë që të mund të zgjidhim edhe marrëdhëniet e ardhshme “- u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel.

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajan e konsideroi ditën e sotme jo të mirë duke shprehur keqardhje për daljen e Britanisë nga BE. Ai tha se votimi i parlamentit mbi marrëveshjen e tërheqjes do të jetë në shkurt apo mars.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse parlamenti britanik kundërshton marrëveshjen: “Është e pamundur të rihapet teksti”.-shtoi Tajan.

Presidenti i Francës Emanuel Macron e mbështeti vendimin e Britanisë për të dalë nga BE duke u shprehur: “Kjo tregon se Europa jonë duhet të rindërtohet dhe ky është opsioni që unë mbështes dhe për të cilin do të vazhdoj të punoj. Nuk është një ditë kur ne duhet të festojmë, por as një ditë zie. Kjo është zgjedhja e një populli sovran”-u shpreh presidenti i Francës Emanuel Macron.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker e cilësoi marrëveshjen e arritur si më të  mirën e mundshme.

“Është një ditë e trishtuar. Të shohësh një vend si Britania e Madhe që largohet nga Bashkimi Evropian, nuk është një moment gëzimi. Është një moment i trishtuar, një tragjedi”-deklaroi Juncker, i cili shprehu besimin se qeveria britanike do të ketë sukses në sigurimin e mbështetjes së parlamentit britanik”.

“Unë do të votoja në favor të kësaj marrëveshje, sepse kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për Britaninë. Është marrëveshja më e mirë dhe Bashkimi Europian nuk do të ndryshojë pozicionin e tij themelor për këtë çështje “-shtoi Juncker.

Negociatori i BE për marrëveshjen Michel Barnier vlerësoi marrëveshjen e arritur dhe nënvizoi se BE dhe Britania do të mbeten aleatë.

Ne kemi negociuar me Mbretërinë e Bashkuar, asnjëherë kundër Mbretërisë së Bashkuar. Tani është koha që të gjithë të marrin përgjegjësinë e tyre, të gjithë.

Kjo marrëveshje është një hap i domosdoshëm për të ndërtuar besimin midis Britanisë së Madhe dhe BE, ne duhet të ndërtojmë fazën e ardhshme të këtij partneriteti të paparë dhe ambicioz. Ne do të mbetemi aleatë, partnerë dhe miq”-u shpreh negociatori i BE-së Michel Barnier.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303