Liderja e Hong Kongut protestuesve: Mos e shtyni vendin drejt humnerës

Në një konferencë shtypi mjaft emocionale, liderja e Hong Kongut, Carrie Lam u ka kërkuar protestuesve që të mos e shtyjnë qytetin drejt “humnerës”.

Sipas saj Hong Kongu “ka arritur në një situatë të rrezikshme” dhe se dhuna do ta “shtynte vendin në një rrugë pa kthim”.

Lam me lot në sy u ka bërë thirrje të martën protestuesve që të lënë anash dallimet.

“Ndaluni për pak, shikoni qytetin tonë, shtëpinë tonë, a dëshironi ta shihni drejt humnerës?”, është cituar të ketë thënë ajo sipas agjencisë së lajmeve, AFP.

Protestat e dhunshme në Hong Kong kanë hyrë në javën e dhjetë, duke mos treguar asnjë shenjë përmirësimi.Protestuesit fillimisht kanë nisur protestat kundër një ligji të propozuar për ekstradim, i cili më pas është pezulluar.

Megjithatë, ata kanë vazhduar protestat pro-demokratike, meqë janë të frikësuar për liritë e Hong Kongut, nën udhëheqësinë aktuale të Kinës.

Pavarësisht raportimeve për dhunë të policisë ndaj protestuesve, liderja e Hong Kongut ka mbrojtur veprimet e policisë, duke thënë se zyrtarët policorë janë “në kushte jashtëzakonisht të vështira”.

Thirrja e saj vjen një ditë pasi protestuesit pushtuan aeroportin ndërkombëtar të vendit, duke pezulluar qindra fluturime./real-news.tv/