Ligjet që shkelën dhe sa do të dënoheshin huliganët e Bularatit

Thirrjet e ekstremistëve grekë në turpin e djeshëm në Bularat të Gjirokastrës ishin totalisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë. Kjo e bën ta pakuptueshëm faktin që autoritete shqiptare nuk vepruan dhe proceduan penalisht të gjitha ata, që nxitën dhunë me slogane racore apo thirrje për vrasjen e një popullsie te caktuar apo që edhe bllokuan rrugën në fund.

Si fillim marrim Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e cila është mjaft e qartë dhe dënon ashpër të gjitha ato organizata, që “programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit”.

Por, sa do të dënoheshin huliganët dhe ultrancionalistët grekë nëse Shteti shqiptar do t’i respektonte ligjet që vet i ka miratuar.

Ja çfarë thotë Kodi Penal:

Neni 265: Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Nenin 266: Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Nenin 293: Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 262: Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Pra, me pak fjalë. Nëse autoritet shqiptare do të kishin  respektuar ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë, disa grekë do t’i kishim për dekada në burgjet tona.

Lër një koment