Ligji për kadastrën hyn në fuqi, Lame: Do zgjidhim problemin e pronave

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame njoftoi sot se Presidenti Ilir Meta e ka miratuar në heshtje ligjin e ri për Kadastrën. Fillimisht Meta e riktheu për shqyrtim dekretin, ndërsa pas ndryshimeve që shumica i bëri, ligji ka hyrë tashmë në fuqi. Lame tha se në Shqipëri 80% e pronave janë regjistruar me probleme duke sjellë konflikte të shumta, ndërsa tashmë institucionin e ri e pret një punë e madhe para.

“Presidenti miratoi me heshtje ligjin për Kadastrën. Ligji shmang burokracinë, shkrin në një të vetëm disa nga institucionet që merren me pronat. Thelbi është zvarritja 30-vjeçare. 80% e pronave në Shqipëri janë të hedhura me probleme.

”Shteti shqiptar ka shpenzuar 200 milion dollarë në procesin e regjistrimit. I gjithë ky lum parash ka lënë pas dhjetëra mijë procese gjyqësore, qindra të vrarë dhe bllokimin e mijëra aktiviteteve ekonomike. Qeveria do të marrë të gjithë përgjegjësitë e kësaj situate. Amnisti për vargun e pagesave të pa kryera në vite. Ligji i ri nuk do të sjellë lumturim për një ditë, por rrugë tjetër nuk ka” tha Lame.

Ligji “Për Kadastrën në Republikën e Shqipërisë”, parashikon shkrirjen e tre institucioneve të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekës) dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP) në një të vetëm./real-news.tv/