fbpx

“Lirimi i masave kufizuese solli gjendjen në prag të kolapsit”

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar pas lajmit për vdekjen e pacientëve me koronavirus në QKUK dhe rritjes së të infektuarve, duke thënë se “institucionet nuk po arrijnë të menaxhojnë fluksin e pacientëve”.

Në një komunikatë për media, PRAK ka kritikuar vendimin për lirimin e masave kundër COVID-19 duke thënë se kjo ka kontribuar që gjendja të bëhet “e pamenaxhueshme”.

“Kalimi nga masa rigoroze në masa tejet liberale pa u ngritur kapacitetet spitalore, ka kontribuar që institucionet të vijnë në prag të kolapsit. Është e pashpjegueshme që në kohën kur rriteshin rastet e konfirmuara me COVID-19, masat preventive liroheshin edhe më shumë! Edhe më vështirë e shpjegueshme është reduktimi i gjurmimit të kontakte të personave të prekur me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Duke reaguar për vdekjen e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare, kjo shoqatë ka kërkuar që për këtë duhet dhënë përgjegjësi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovë, Basri Sejdiu duhet të japë dorëheqje “ose të shkarkohet nga Bordi i SHSKUK – së”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

Gjatë të dielës, u raportua se në QKUK kanë vdekur pacientë nga koronavirusi. Por, Ministria e Shëndetësisë, kërkoi që njerëzit të përmbahen dhe të mos arrijnë në konkludime, duke shtuar se duhet të kryhet një analizë rreth shkaktarëve të këtyre rasteve që përfunduan me fatalitet. MSH po ashtu nuk ka konfirmuar se për sa raste të vdekjeve bëhet fjalë gjatë së dielës.

Aktualisht, në Kosovë janë të konfirmuar 66 viktima nga koronavirusi.