Lirohen 78 nxënësit e marrë peng në Kamerun

78 nxënësit e rrëmbyer nga një shkollë në rajonin veriperëndimor të Kamerunit janë liruar.

Edhe shoferi është lënë i lirë, ndërsa drejtori i shkollës, dhe një mësues ende nuk janë liruar.

Rrethanat e lirimit të nxënësve nuk janë të qarta, por autoritetet thonë se po merren në pyetje para se të ribashkohen me prindërit e tyre.

Sipas Kishës Presbyteriane të Kamerunit, nxënësit u braktisën në një nga ndërtesat e tyre në qytetin Bafut, rreth 24 km nga Bamenda.

Kisha gjithashtu zbuloi se rrëmbimi i së dielës ishte rasti i dytë në të njëjtën shkollë në më pak se një javë.

Ministri i Komunikimit njoftoi se “të gjithë nxënësit janë liruar”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Një prift, i cili po zhvillon negociatat me rrëmbyesit konfirmoi lirimin, por tha se drejtori i shkollës dhe mësuesi po mbahen ende peng, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Ende nuk dihet se kush i rrëmbeu nxënësit apo arsyeja e një veprimi të tillë. Qeveria dhe separatistët në rajonin anglishtfolës kanë akuzuar njëri-tjetrin për rrëmbimin.

Lër një koment