fbpx

Lleshaj merr detyrën me leksione morali për policinë

lleshi.jpg

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Llëshaj ka zgjedhur një rrugë mjaft simbolike për të hyrë zyrtarisht në detyrën e tij të re: Përmes sakrificës së efektivëve të rënë në krye të detyrës. Në një ceremoni të posaçme për marrjen e detyrës, Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit të policëve të rënë në detyrë, që ndodhet pranë ndërtesës së institucionit që ai drejton.

Zgjodha këtë rrugë për të hyrë në zyrë si ministër i Brendshëm, me bindjen e plotë se nderimi i atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, është një detyrim i përhershëm për këdo, që merr përsipër të shërbejë apo të drejtojë në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit. Nëpërmjet këtij akti të thjeshtë, por simbolik, unë dëshiroj së pari të shpreh nderimin tim më të thellë për shërbimin pa kushte, deri në sakrificën sublime, për të gjithë ata burra, që i kanë dhënë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj gjithçka që kishin. Por më së pari, përballë kësaj sakrifice kërkohet që të përulet vetë Policia e Shtetit dhe çdo pjesëtar i saj“, tha ministri i Brendshëm, i cili gjatë fjalës së tij u kujdes të theksojë se mesazhi i vetëm që deshi të përçojë në ditën e tij të parë zyrtare në punë, është vetëm ndaj efektivëve të policisë, dhe se për të shpalosur programin si ministër, do të ketë kohë së shpejti.

“Unë dua megjithatë të citoj sot një pasazh nga fjala e gjeneralit e famshëm Douglas MacArthur përpara kadetëve të Akademisë Ushtarake West Point më 12 maj të vitit 1962, i cili besoj se i kursen të gjitha fjalët e mia rreth kësaj çështjeje shumë themelore: “Detyra, nderi, atdheu: këto tri fjalë të shenjta në mënyrë solemne, ju diktojnë se çfarë duhet të jeni, çfarë mund të jeni dhe çfarë do të jeni. Ato janë pika juaj e referencës për të ndërtuar kurajë, atëherë kur ajo duket se po ju braktis; për të rifituar besim, atëherë kur duket se pak gjë ka mbetur për t’u besuar; për të krijuar shpresë atëherë kur ajo ka humbur. Të pabesët do t’ju thonë se këto janë vetëm fjalë, vetëm slogane, vetëm fraza boshe. Të gjithë pedantët, demagogët, cinikët, hipokritët, ngatërrestarët… do të përpiqen t’i zhvlerësojnë ato deri në skajin e talljes”, tha ministri.

Në rrugën drejt suksesit tha ministri- këto vlera duhet të jenë ylli polar, i cili na tregon përherë se nga duhet t’ia mbajmë kur jemi të pasigurt.

“Një polici e bazuar në këto vlera të përjetshme; e gatshme për të shërbyer dhe jo vetëm për të ndëshkuar;  e fortë, e motivuar dhe e ditur për të fituar e jo për t’u justifikuar;  e vendosur dhe e ndershme për të mbajtur vetëm anën e ligjit;  e hijshme, moderne, shqiptare dhe europiume,  kjo është Policia që duam dhe do të kemi”, përfundoi ministri.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *