fbpx

Lleshaj në Shkodër: Do asgjësojmë kanabisin para fushatës

lleshaj.png

Nga Shkodra ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar, se beteja e Policisë së Shtetit me kanabisin synohet të përfundojë përpara fushatës elektorale për të penguar ndërhyrjen e krimit në zgjedhje. Pas një takimi me strukturat vendore, Lleshaj u shpreh se këtë vit janë gjetur më shumë bimë narkotike se një vit më parë dhe kjo sipas tij jo për shkak të kultivimit më të madh por prej goditjes më të madhe, ndërsa u pyet nga gazetarët edhe për vrasjen e dy të rinjvepër një parcelë kanabis.

Lleshaj deklaroi se ka pasur raste kur janë ndëshkuar edhe drejtues vendorë të cilët nuk kanë marrë masa për asgjësimin e bimëve narkotike. Kjo ka ardhur, shtoi ai, pas kontrollit të eprorëve të cilët kanë marrë vendimin për ndëshkimin e tyre. Ai u ndal edhe te tregtimi i kanabisit jashtë vendit, duke veçuar Italinë ku tha se përgjatë këtij viti janë kapur vetëm 911 kg kanabis nga Shqipëria në krahasim me tonelatat në vitet paraardhës.

“Sapo përfunduam një takim për analizën që po bëjmë për angazhimin e policisë kundër tentativa për kultivimin e kanabisit. Në të gjithë Shqipërinë dhe Shkodrën është goditur fort në të gjitha skajet. Angazhimi ynë është për ta goditur në vijueshmëri. Do synojmë ta zhbëjmë përfundimisht kanabisin.  Masat merren atëherë kur konstatimi bëhet dhe drejtuesit janë jashtë dijenisë. Ne nuk mund të godasim një drejtues që godet kanabisin. Kur kemi pasur konstatime ka pasur masa edhe për drejtues vendorë.

Në qoftë se konstatimi bëhet nga lart, nëse eprorët gjejnë bimë në territor, strukturat vendore mbajnë përgjegjësi. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Ka pasur në nivel të përgjithshëm intensitet të lartë të kontrollit, më shumë mjete, më shumë orë fluturimi nga misionet e monitorimit ajror dhe janë gjetur më shumë bimë se vitin që shkoi. Jo se këtë vit është kultivuar më shumë por sepse është goditur më shumë.

Destinacionet e kanabisit jashtë vendit ka treguar se sasia e sekuestruar jashtë vendit të ardhur nga Shqipëria është shumë më pak. Në Itali këtë vit janë kapur vetëm 911 kg në krahasim me vitet e tjera kur janë kapur me tonelata. Unë nuk shoh ndonjë lidhje mes parave të drogës dhe fushatës elektorale. Duam ta përfundojmë betejën me kanabisin para se të nisë fushata elektorale. Bashkëpunimi mes policisë dhe organeve të tjera ka njohur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Pas këtij bashkëpunimi qëndrojnë edhe disa nga sukseset kryesore”, u shpreh Lleshaj.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303