Loja e qeverisë, Sazan Guri ngre alarmin: Po blejmë naftën tonë 4 herë më shtrenjtë…

Ambientalisti Sazan Guri ka komentuar vendosjen e një takse të re mbi naftën, që pritet të rrisë dhe më shumë çmimin e karburanteve për qytetarët shqiptarë.

Guri u shpreh se derimë tani shqiptarët paguajnë 7 taksa, që herë pas here janë abuzive dhe iu  merren dy herë. Shembull për këtë inxhinieri mori taksën e qarkullimit, që edhe pse shqiptarët e paguajnë, detyrohen që të paguajnë për kalimin në Rrugën e Kombit, pavarësisht se ajo është ndërtuar me paratë e Buxhetit të Shtetit.

“Kjo është taksa e tetë që i vihet qytetarëve shqiptarë, kur ndodh që shteti merr shtatë taksa, për akcizën, për qarkullimin, për karbonin, taksën e skanimit, të gjitha këtyre i shtohet dhe kjo e rezervave të naftës.

Kur mendon se taksat merren disa herë, që do të thotë ti merr taksë për qarkullimin, dhe kërkon taksë për mirëmbajtjen e rrugës, kjo është një ligësi, një qeveri që nuk di të menaxhojë paratë e taksapaguesve.

Jashtë për 0.7 cent mund të bëhet nami, këtu nëse rritet 20 lekë, atëherë është gati gati 10% e çmimit. Këta nuk ndalen, pasi i vunë taksë rrugës së Kombit, në mënyrë të jashtëligjshme, pasi nuk ka rrugë alternative, në fund fare na kërkohet 6 mijë e gjashtëqind lekë të vjetra për kalim.

Këta kanë një taksë të 9 në mendje, që është ajo e pompave, kanë edhe taksën e dhjetë në mendjen e tyre. Bëhen 10 taksa në pak vite, dhe qytetari shqiptare e ka të vështirë interpretimin”, u shpreh Guri.

Ambientalisti komentoi më tej edhe indiferenizmin e shqiptarëve, duke thënë se nafta nuk prek vetëm drejtuesit e automjeteve, po do të pasohet me një efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të shumë produkteve.

“Si mos të përdorim automjetet? Ja dhe ndodh kjo, po taksa e naftës reflektohet te uji, te energjia eletrike, te transporti i lëndëve të para që përfshijnë edhe bukën e gojës. Ka njerëz që nuk e kuptojnë këtë, dhe reagojnë njësoj sit ë ishin pushtetarë.

Një pjesë e këtij populli është bashkëpunëtor me krimin që është në pushtet. Shumë njerëz janë duke e lënë Shqipërinë, pasi përballen edhe me një nivel të tillë të komunitetit. Unë do ju bëja thirrje njerëzve që të reflektojnë, e kanë parë se çfarë qendrese kanë bërë francezët?”, tha më tej Guri.

Për ironi të fatit, pavarësisht se Shqipëria është një nga vendet prodhuese më të mëdha të naftës në Ballkan dhe në Europë, çmimet e saj kapin ende shifra tmerrësisht të larta, krahasuar me kushtet dhe me standardin e jetesës në vendin tonë.

“Kjo është edhe më e tmerrshme, pasi ne jemi një vend prodhues i naftës, që fare mirë mund ti plotësonim nevojat tona, pa qenë e nevojshme që të importojmë nga vende të tjera. Kompanitë që janë futur në lojë na detyrojnë që ne të blejmë naftën tonë me një çmim katër herë më të shtrenjtë.

Rrugët Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Elbasan nuk janë autostrada, ato janë rrugë që mund të konsiderohen që lidhin dy lagje, njësoj siç ndodh në Pire apo në Athinë. Gjermania psh e ka taksën e qarkullimit zero, pasi ajo i mirëmban rrugët me biletën, e merr taksën te parkingjet, pa qenë e nevojshme që ta paguash në lëvizjet me urban brenda qytetit.”, përfundoi Guri.